Blerim Krasniqi është sulmuesi i ri i skuadrës së Dritës. Drita e ka prezantuar Krasniqin në orët e mbrëmjes të së enjtes në faqen zyrtare në Facebook.
“Kemi kënaqësinë të ju prezantojmë sulmuesin tonë të ri Blerim Krasniqi nga Shqipëria. Krasniqi do të jetë pika referente e sulmit i cili vjen nga një përvojë e gjatë në Superligën shqiptare. Blerimi ka qenë pjesë edhe e Superligës së Kosovës dhe së fundmi ka qenë pjesë e ekipit CS Mioveni nga Superliga e Rumanisë”, ka shkruar ndër të tjera Drita në Facebook.
Krasniqi ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me Dritën. 26-vjeçari në të kaluarën ka qenë edhe pjesë e Gjilanit, por u largua pa lënë shumë gjurmë në futbollin kosovar.
Sipas faqes “transfermarkt”, Krasniqi në 28 ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat në edicionin e fundit, realizoi katër gola dhe pati një asistim.