Mbrojtësi i krahut të djathtë, Besnik Krasniqi ka bërë ftesë për kujdes ndaj kampionit të Uellsit. Ai ka theksuar se në Uells synojnë kalimin në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.
“Rezultati është shumë i mirë, por nuk duhet të jemi të kënaqur, sepse futbolli di nganjëherë të jetë befasues. Ne kemi punuar tërë javën për këtë ndeshje dhe do të mundohemi të jemi si në ndeshjen e kaluar. Nuk jemi në Uells vetëm për ta ruajtur rezultatin, por ta japim më të mirën për të kaluar tutje”, është shprehur Krasniqi për KOHËN.