Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Krasniqi e sheh fitoren ndaj Abrahamit si obligim

Boksieri junikas, Haxhi (Robin) Krasniqi, ka thënë se është i motivuar të arrijë edhe një rast tjetër për të boksuar për titull bote. Për këtë arsye fitorja ndaj Arthur Abrahamit është detyrim për të.

Krasniqi më 22 prill në Erfurt të Gjermanisë do të përballet me boksierin e njohur armen me shtetësi gjermane, Arthur Abraham, në një duel eliminator për titullin e botës në versionin WBO në kategorinë super të mesme. Fituesi i këtij dueli do të përballet me kampionin, meksikanin Gilberto Ramirez.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

"Me gjithë respektin për karrierën e Arthurit, unë do të fitoj këtë përballje. Ëndrra ime mbetet të fitoj një titull të botës dhe është motivimi im më i madh. Mbetet vetëm një opsion, të mposht Arthurin pastër", ka thënë Krasniqi në konferencën për media të mërkurën, shkruan sot Koha Ditore.

Krasniqi në dy raste kishte boksuar për titull të botës, në kategorinë gjysmë të rëndë. Kishte boksuar për titullin WBO kundër britanikut Nathan Cleverly në prill të vitit 2013, ku pësoi me vendim unanim pas 12 raundesh.

Më pas kundër gjermanit Juergen Braehmer për titullin WBA, meç që e humbi me dorëzim në raundin e nëntë. Krasniqi ka bilanc prej 46 fitoreve (17 KO) e katër humbjeve. Abraham është kundërshtari më i madh në karrierën e tij.

Abraham 37-vjeçar kishte qenë për vite kampion bote në peshën e mesme e më pas në atë super të mesme. Ai ka bilanc prej 45 fitoreve (30 KO) e pesë humbjeve. Njihet për grusht të fuqishëm.

Krasniqi së fundi ka ndërruar trajner. Është duke u stërvitur nga trajneri Magomet Schaburow.

"Robini po kërkon impulse të reja, për t'u zhvilluar më tutje. Robini është shumë i disiplinuar dhe i zellshëm. Zelli gjithmonë shpërblehet. Ne duam të boksojmë, e jo vetëm të luftojmë", ka thënë Schaburow.

Armeni Abraham thotë se për të vetëm fitorja është opsion. Ai kërkon të kthehet sërish në majë të botës.

"Vetëm fitorja është në kokën time. Unë kam vetëm një synim, dua që sa më shpejt të jetë e mundur të bëhem sërish kampion bote. Më pas të boksoj edhe një vit dhe të përshëndetem nga boksi", ka deklaruar Abraham.

"Do të jetë një përballje shumë e bukur. Arthuri ka shansin të fitojë këtu. Ai e di se është obligim të fitohet këtu. Është rasti i fundit për të", ka thënë trajneri i Abrahamit, Ulli Wegner, përcjell Koha Ditore.

Kompania promovuese e Krasniqit, SES Boxing ka marrë të drejtën e organizimit të meçit. Promotori i Krasniqit, Ulf Steinforth, e ka vlerësuar këtë si meç të vitit.

"Çfarë përballjeje. Arthuri dëshiron të kthehet edhe njëherë, Robini dëshiron me çdo kusht një rast të ri për titull bote. WBO-ja e ka bërë këtë meç eliminator për titull bote. Nuk është vetëm lufta sportive e boksierëve, por edhe luftë e ekipeve. Robini ka shanse të mëdha. Për mua në fakt është meçi i vitit dhe me qytetin e Erfurtit e kemi gjetur një vend të përshtatshëm për këtë përballje. Shitja e biletave nis sot dhe pres të shiten të gjitha", ka thënë Steinforth.

Asnjë boksier shqiptar nuk e ka fituar ndonjë nga katër titujt më të mëdhenj të boksit profesionist (WBC, WBA, IBF dhe WBO).