Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Krasniqi, 22 sekonda larg medaljes në Lojërat Mesdhetare

Në një garë që zgjati afro një orë, notari kosovar Arti Krasniqi mbeti 22 sekonda larg medaljes. Krasniqi 20-vjeçar të enjten ka zhvilluar garën e tij të parë për Kosovën. Ai javën e kaluar la Gjermaninë për të garuar për Kosovën. Dhe fillimi i karrierës ndërkombëtare, si garues i Kosovës, është vlerësuar i shkëlqyeshëm.

Arti Krasniqi garoi në not 5 kilometra në ujëra të hapura, në Lojërat Mesdhetare në Rërë, që po mbahen në Patras të Greqisë. Në këtë distancë, Arti më herët, këtë verë, kishte dalë nënkampion i Gjermanisë, kurse në 10 kilometra ishte kampion i Gjermanisë. Në garën e parë ndërkombëtare për Kosovën nuk fitoi medalje, por ishte pranë saj, shkruan sot Koha Ditore.

Andrea Manzi i Italisë fitoi medaljen e artë në 5 kilometra not në ujëra të hapura, duke regjistruar kohë prej 57:57.02 minutash. Fare pranë tij ishte italiani tjetër, Marcello Guidi, që kishte kohë 57:57.08 minuta. Greku Georgios Arnaikos fitoi medaljen e bronztë me kohë 59:27.02 minuta, ndërsa Arti ishte menjëherë pas tij me kohë prej 59:49.01 minutash. Të tjerët garues në finish arritën pas më shumë se një ore notim. Gjithsej garën e përfunduan 14 notarë, ndërsa dy nuk arritën në cak. Pos nga Italia e Greqia, kishte notarë edhe nga Portugalia, Maroku, Kroacia, Tunizia, Qiproja, Libia e Siria.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)