Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kosova vazhdon me përgatitje, zhvillon lojë kontrolluese

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll po vazhdon me përgatitjet për dy ndeshjet kualifikuese të “Euro 2024” që i luan këtë muaj me Rumaninë dhe Bjellorusinë. Të hënën, Kosova ka mbajtur stërvitjen e radhës dhe këtë herë selektori Alain Giresse ka zhvilluar lojë kontrolluese, duke e ndarë grupin e futbollistëve në dy ekipe.

Në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës, thuhet se lojtarët janë treguar përkushtim maksimal dhe kanë shfaqur formë të mirë, përkundër reshjeve të vazhdueshme të shiut dhe fushës së rrëshqitshme.

Giresse ka vëzhguar me vëmendje paraqitjen dhe lëvizjet e futbollistëve, ndërsa me stafin e tij do të bëjë edhe një video-analizë të lojës së tyre, në mënyrë që të jap udhëzimet e nevojshme për duelin kundër Rumanisë. Kosova, të premten do të përballet me Rumaninë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa tri ditë më vonë, do të luajë në Budapest të Hungarisë kundër Bjellorusisë.

Të dyja këto ndeshje i takojnë Grupit I, në të cilin Kosova pozicionohet e treta në tabelë me 2 pikë të mbledhura pas dy ndeshjeve të luajtura në këtë cikël eliminator. Stërvitja e radhës e Kosovës, është paraparë të zhvillohet të martën prej orës 10:30 në Kampin Nacional në Hajvali, ku i ka mbajtur edhe seancat tjera deri më tani gjatë këtij grumbullimi.