Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kosova U20 renditet e 11-ta në Evropianin e Divizionit B

Basketbollistët e përfaqësueses U20 të Kosovës e kanë përfunduar me fitore Kampionatin Evropian të Divizionit B. Të dielën mbrëma në Shkup, Kosova U20 fitoi ndaj Austrisë me rezultat 78:67. Fitorja është arritur në kohën shtesë prej pesë minutave.

Në pesë minutat shtesë, basketbollistët e Kosovës kanë dominuar plotësisht. Kanë shënuar 18 pikë dhe kanë pranuar vetëm shtatë për të festuar në fund. E kanë festuar vendin e 11-të në të cilin e përfunduan Evropianin e Divizionit B. Ndeshja ndaj Austrisë ishte e vlefshme për këtë pozitë. Vendi i 11-të është vlerësuar sukses për Kosovën. Ndeshja pas 40 minutave përfundoi 60:60.

Tre sekonda para fundit, Austria barazoi rezultatin, ndërsa aksionin e fundit “dardanët” nuk e konkretizuan. Megjithatë kjo nuk ndikoi në kohën shtesë ku lojtarët e Kosovës dominuan plotësisht. Kosova dominoi në çerekun e dytë dhe të katërt, ndërsa humbi në të parin e në të tretin.

Jon Ismajli ishte më i miri me 19 pikë e pesë kërcime. Nga 14 pikë i shënuan Jon Ukaj, Bardh Istrefi dhe Visar Ejupi. 13 pikë i kishte Olsi Kurtaj.

Në Evropianin e Divizionit B në Shkup garuan 20 përfaqësuese. Në grupe, Kosova pësoi nga Gjeorgjia, Suedia e Ukraina, ndërsa fitoi ndaj Azerbajxhanit. Më pas për plasman shënoi fitore kundër Letonisë. Të shtunën humbi nga Bullgaria, për ta mbyllur Evropianin me fitore.

Artikuj të ngjashëm