Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kosova U19 humb ndeshjen e fortë me Britaninë e Madhe

Kosova U19 në hendboll në konkurrencën e femrave, pati paraqitje të mirë të dielën mbrëma në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë. Por, junioret e Kosovës nuk arritën që të dalin fituese ndaj Britanisë së Madhe në finalen e kampionatit “IHF Trophy”.

Kosova U19 humbi me rezultatin 29:25 dhe nuk ka arritur që ta sigurojë fazën interkontinentale, që ndihmon për kualifikim në Botëror. Ndeshja ishte shumë e fortë, por skuadra mysafire shfaqi pak më shumë në pjesën e parë, për të shkuar në pushim me dy gola epërsi, 17:15.

Kosova në minutën e dhjetë të pjesës së dytë, arriti që ta barazonte rezultatin në 21:21.

Më pas, Britania e Madhe shfrytëzoi aksionet që pati, ndryshe nga hendbollistet e reja të Kosovës. Tre minutat e fundit ishin dramatik. Në minutën e 57-të, Kosova U19 e ngushtoi epërsinë në 26:25, por nuk e barazoi rezultatin më.

Mysafiret realizuan edhe dy gola tjerë, ndërsa Kosova nuk i konkretizoi aksionet e veta, madje humbi edhe penallti. Krejt në fund, Britania e Madhe realizoi edhe një gol tjetër për fitoren me katër gola dallim, 29:25. Kosova në rrugëtimin deri në finalen e grupmoshës U19, në turneun që u organizua në Prishtinë nga 11 tetori deri më 15 tetor, mposhti Bullgarinë në ndeshjen e parë, 32:20. Më pas fitoi ndaj Britanisë së Madhe 29:28, kurse ndaj Maltës triumfoi thellë 56:16. Në këtë grupmoshë në total ishin vetëm katër skuadra.

Artikuj të ngjashëm