Sport

Kosova të dielën mëson kundërshtarët e kualifikimeve për “Euro 2024”

Të dielën (nesër) nga ora 12:00 në Frankfurt bëhet tërheqja e shortit për kualifikimet e kampionatit të ardhshëm evropian të futbollit që në vitin 2024 mbahet në Gjermani. Kështu, përfaqësuesja e Kosovës do ta mësojë grupin kualifikues dhe kundërshtarët e ardhshëm. Për Kosovën është cikli i dytë kualifikues për Kampionat Evropian.

Cikli i parë kualifikues ishte goxha i suksesshëm, ndonëse Kosova nuk u kualifikua në Euro 2020. “Dardanët” garuan në Grupin A, të cilin e fitoi Anglia me 21 pikë. E dyta ishte Çekia me 15 pikë, ndërsa e treta Kosova me 11 pikë. Kosova la prapa Bullgarinë me gjashtë pikë dhe Malin e Zi me tri pikë. Dy të parat në grup u kualifikuan në Evropian, ndërsa Kosova më pas dështoi edhe përmes plejofit, të cilin e siguroi përmes Ligës së Kombeve.

Në shortin për Euro 2020, Kosova ishte në vazon e pestë. Vendosja e përfaqësueseve në vazo ishte bërë në bazë të renditjes së përgjithshme në Ligën e Kombeve.

Kosova tani është në vazon e katërt, që nënkupton avancim në krahasim me kualifikimet e kaluara. Sërish vendosja në vazo e përfaqësueseve është bërë në bazë të rangimit të përgjithshme në Ligën e Kombeve.

Në kualifikimet e kaluara ishin 55 përfaqësuese, ndërsa tani janë 53. Gjermania si nikoqire kualifikohet direkt, kurse Rusia është e suspenduar.

Kualifikimet e rregullta për Euro 2024 nisin më 23 mars të vitit të ardhshëm, ndërsa përfundojnë më 21 nëntor të vitit të ardhshëm. Në mars, qershor, shtator, tetor e nëntor janë nga dy terminë për ndeshje të përfaqësueseve.

Përfaqësueset do të garojnë në dhjetë grupe kualifikuese. Shtatë grupe do t’i kenë nga pesë përfaqësuese, ndërsa tri të tjera nga gjashtë. Dy të parët në secilin grup kualifikohen në Evropian.

Për arsye politike, UEFA ndalon disa përballje të përfaqësueseve. Kështu, Kosova nuk mund të jetë në një grup me Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën.

Shqipëria në short është në vazon e tretë dhe është një prej kundërshtareve të mundshme të Kosovës.

Evropiani i ardhshëm i futbollit mbahet prej 14 qershorit deri më 14 korrik të vitit 2024 në Gjermani. Evropiani do të mbahet në dhjetë qytete të ndryshme: Berlin, Munich, Dortmund, Gelsenkirchen, Frankfurt, Stuttgart, Hamburg, Duesseldorf, Koeln dhe Leipzig.

Në Evropian do të marrin pjesë 24 përfaqësuese. Pos Gjermanisë dhe 20 përfaqësueseve të kualifikuara përmes eliminatoreve të rregullta do të marrin pjesë edhe tri përfaqësuese që biletën e sigurojnë përmes plejofit të Ligës së Kombeve. Gjasat që Kosova të paraqitet në plejof janë të vogla.

Kosova është në kërkim të kualifikimit të parë në një ngjarje të madhe futbolli. Ka kompletuar edhe dy cikle kualifikuese për Botëror. Eliminatoret për Botërorin 2018, që ishin të parat për Kosovën, “Dardanët” i mbyllën në pozitën e fundit me vetëm një pikë. Për Botërorin 2022, që mbahet në Katar, Kosova sërish ishte e fundit. Mblodhi pesë pikë në grup me Spanjën, Suedinë, Greqinë e Gjeorgjinë. Dukshëm më tepër pikë synohen në kualifikimet për Euro 2024.