Sport

Kosova synon kualifikimin nga grupi jo i lehtë me Zvicrën e Izraelin

Pa ndonjë gjigant evropian, por me Zvicrën e shqiptarëve dhe Izraelin e papërshtatshëm, Kosova do të kërkojë nga Grupi I kualifikimin në Euro 2024, që mbahet në Gjermani. Shorti i tërhequr të dielën në Frankfurt ka vendosur Kosovën në grup me Zvicrën, Izraelin, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Andorrën.

Kualifikimet nisin në mars të vitit të ardhshëm dhe përfundojnë në nëntor. Kosova do të kërkojë njërën prej dy pozitave të para në grup që sigurojnë biletën për në Evropian.

Kosova për herë të dytë paraqitet në kualifikimet për Evropian. Kampanja e parë ishte e suksesshme, por pa realizuar synimin e madh – paraqitjen në Evropian. Kosova kishte përfunduar e treta, prapa Anglisë dhe Çekisë.

Në kualifikimet për Evropianin e ardhshëm, Kosova është në grup ku favorite e madhe vlerësohet Zvicra, që për kapiten e ka Granit Xhakën e zëvendës-kapiten e ka Xherdan Shaqirin. Zvicra do të paraqitet në Botërorin në Katar dhe llogarit në kualifikimin në Evropian. Ka kohë në fakt që Zvicra nuk ka munguar prej ngjarjeve të mëdha të futbollit.

Zvicra në short ishte në vazon e parë, ndërsa Izraeli ishte në vazon e dytë. Në vazon e tretë ishte Rumania e në të katërtën Kosova. Pra, bazuar në vazot, më të forta se Kosova janë Izraeli dhe Rumania. Por jo gjithnjë renditja në fund përshtatet me vendosjen në vazo. Madje kjo ndodh shumë rrallë.

Në Federatën e Futbollit të Kosovës shortin e kanë vlerësuar të favorshëm. Selektori Alain Giresse ka folur për kualifikim në Evropian, ndonëse jo shumë qartë.

Kosova ende nuk është kualifikuar në ndonjë ngjarje të madhe.

“Tani kemi verdiktin e shortit dhe e kemi këtë grup. Duhet të shohim si mund të kualifikohemi. Mund të ishte një grup më i vështirë, por nuk do të thotë se jemi të magjepsur. Sidoqoftë, mendoj se mund t’i japim vetes ambicien për të arritur një paraqitje të bukur në këtë grup. Sigurisht, do të kemi një ndeshje speciale kundër Zvicrës, pasi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe mes dy popujve janë të veçanta. Tani na mbetet të përgatitemi mirë, t’i vëzhgojmë kundërshtarët tanë dhe të përgatitemi për të qenë në kushtet më të mira që nga muaji mars dhe për ta filluar këtë cikël kualifikimesh me ambicie”, ka thënë Giresse për sajtin zyrtar të FFK-së.

Kosova do t’i luajë nga dy ndeshje kualifikuese në mars, qershor, shtator, tetor e nëntor të vitit të ardhshëm.

Prej rivalëve në grup, Kosova është takuar vetëm me më të fortin, ekipin e Zvicrës. Në mars të këtij viti, Zvicra e Kosova kishin barazuar 1:1 në miqësoren e Zuerichut. Me Izraelin, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Andorrën, Kosova nuk ka luajtur deri më tani. Rumania dhe Bjellorusia nuk e njohin shtetin e Kosovës. Ndeshja në udhëtim ndaj Bjellorusisë me shumë mundësi do të luhet në terren neutral.

Edhe Shqipëria ka rënë në grup pa gjigant evropian të futbollit. Kuqezinjtë kualifikimin do ta kërkojnë prej grupit E, ku bëjnë pjesë edhe Polonia, Çekia, Ishujt Faroe dhe Moldavia.

Shqipëria tashmë ka luajtur në Evropian, atë të vitit 2016. Dhe kërkon të kthehet në skenën më të madhe kontinentale.

“Janë skuadra që i njohim, janë skuadra të vështira, por mund të përballemi me to. Kemi mundësi të mira me të gjitha këto skuadra nëse do të jemi në gjendje të mirë dhe nuk do të kemi mungesa si kohët e fundit. Polonia është e fortë, kjo dihet, por do të garojmë me Çekinë për vendin e dytë. Duhet të jemi të kënaqur me këtë grup, pasi kemi evituar emra të mëdhenj. Edhe Çekinë e njohim, pasi jemi përballur me të në miqësore vitin e kaluar. Por ne do të hasim në vështirësi nëse do të luajmë si vitin e kaluar. Duhet të shmangim gabimet e ndeshjeve të fundit”, ka thënë selektori i Shqipërisë, Edoardo Reja.

Ndërkohë Maqedonia e Veriut, që në ekip ka shumë shqiptarë, do të jetë në grup shumë të vështirë me Italinë, Anglinë, Ukrainën dhe Maltën.

*****

Grupet kualifikuese për Euro 2024

Grupi A: Spanja, Skocia, Norvegjia, Gjeorgjia, Qipro

Grupi B: Holanda, Franca, Irlanda, Greqia, Gjibraltari

Grupi C: Italia, Anglia, Ukraina, Maqedonia e Veriut, Malta

Grupi D: Kroacia, Uellsi, Armenia, Turqia, Letonia

Grupi E: Polonia, Çekia, Shqipëria, Ishujt Faroe, Moldavia

Grupi F: Belgjika, Austria, Suedia, Azerbajxhani, Estonia

Grupi G: Hungaria, Serbia, Mali i Zi, Bullgaria, Lituania

Grupi H: Danimarka, Finlanda, Sllovenia, Kazakistani, Irlanda e Veriut, San Marino

Grupi I: Zvicra, Izraeli, Rumania, Kosova, Bjellorusia, Andorra

Grupi J: Portugalia, Bosnjë-Hercegovina, Islanda, Luksemburgu, Sllovakia, Lihtenshtajni