Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), në uebfaqen e saj zyrtare të mërkurën, e ka përshkruar formën se si tifozët e Përfaqësueses së Kosovës mund t’i blejnë biletat për ndeshjen që “Dardanët” e luajnë në Solna kundër Suedisë më 9 tetor.
Në njoftimin e FFK-së bëhet e ditur se shitja e biletave për këtë ndeshje tashmë ka nisur, ndërsa Federata e Futbollit e Suedisë i ka hedhur ato në formën “online” në linkun e krijuar enkas (https://ticket.friendsarena.se). Por, për pjesën që i takon Kosovës, janë shitur të gjitha për një kohë shumë të shkurtër, ndërsa pak kanë mbetur edhe në pjesën ku i takon suedezëve. Megjithatë, te FFK-ja presin nga shqiptarët që jetojnë në Suedi të kenë blerë sa më shumë bileta për t’i përkrahur futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës nga tribunat e stadiumin “Friends Arena” në numër sa më të madh.
Një person nuk mund të blej më shumë se tetë bileta, ndërsa stadiumi ku do të luhet ndeshja ka kapacitet prej 50 mijë ulëseve. FFK-së i takon 5 për qind e kapacitetit të stadiumit, që i bie se për “Dardanët” janë të rezervuara 2,500 bileta. Te FFK-ja ka optimizëm të madh se në tribuna do të ketë shumë shqiptarë në përkrahje të futbollistëve të përzgjedhësit Bernard Challandes.
Ndeshja në mes të Suedisë dhe Kosovës luhet më 9 tetor nga ora 18:00 dhe i takon Grupit B kualifikues për kampionatin botëror “Katari 2022”. Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka thënë se përkrahja e shikuesve është motiv shtesë për futbollistët e Kosovës. Dhe, sipas tij, “Dardanët” kanë nevojë më shumë se kurrë për mbështetjen e shqiptarëve që jetojnë në Suedi në këtë ndeshje të rëndësishme.
“Ndeshja kundër Suedisë është e rëndësishme për ne dhe presim që të kemi përkrahje masive në Suedi. I ftojmë të gjithë bashkatdhetarët që janë në Suedi të sigurojnë sa më shumë bileta për ta përkrahur Kosovën. Përkrahja e shikuesve është motiv shtesë në fushë për futbollistët tanë. Kjo është dëshmuar tashmë në shumë shtete e po ashtu edhe në Kosovë. Besoj se do të kemi përkrahje të madhe në Suedi. Kemi shumë bashkatdhetarë që jetojnë në Suedi dhe e dimë që dashuria për Kosovën nuk ka munguar asnjëherë. Është momenti që ta gjejmë mbështetjen edhe në stadium. Nuk do të mungojnë as ‘Dardanët’, që gjithmonë u kanë qëndruar pranë futbollistëve të Kosovës”, ka thënë Ademi të mërkurën për KOHËN.
Kosova është në vendin e katërt në grup me katër pikë të fituara në pesë ndeshje të luajtura, ndërsa Suedia zë vendin e dytë me nëntë pikë dhe një ndeshje më pak të zhvilluar. Lidere e Grupit B është Spanja me 13 pikë në gjashtë ndeshje, kurse Greqia në vendin e tretë me gjashtë pikë pas katër ndeshjeve të zhvilluara. Ndërkohë, në pozitën e fundit është Gjeorgjia me një pikë të fituar në pesë ndeshje të luajtura. Qeveria e Suedisë ka marrë vendim për të hequr masat kufizuese anti-COVID për ngjarje sportive, kulturore dhe ngjarje të tjera të ndryshme të mëdha. Thuhet se shikuesit nuk kanë nevojë të paraqesin librezën e vaksinimit e as testin negativ PCR për ta përcjellë ndeshjen.
“Të gjithë organizatorët për të gjitha ngjarjet mund të planifikojnë hapjen që nga data 29 shtator. Dhe, gjithashtu nuk do të ketë kufizime për pjesëmarrësit”, ka thënë ministrja e Kulturës dhe Demokracisë, Amanda Lind ditë më parë, njofton Federata suedeze.
FFK-ja pret t’i lejohet shfrytëzimi i 30-përqindëshit të stadiumit për duelin me Gjeorgjinë
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, pret që t’u aprovohet kërkesa nga institucionet shëndetësore të Kosovës për ta shfrytëzuar 30 për qind të kapacitetit të stadiumit “Fadil Vokrri” për ndeshjen ndaj Gjeorgjisë.
Me masat e reja të Qeverisë së vendit lejohet shfrytëzimi vetëm i 10-përqindëshit të kapacitetit të stadiumit. Por Ademi pret të hasë në mirëkuptimin e organeve vendimmarrëse të shëndetësisë. “Nuk kemi vendosur ende për biletat, pasi presim një përgjigje të fundit nga IKSHPK-ja, që të na mundësojë që ndaj Gjeorgjisë të kemi mundësinë e shfrytëzimit të 30 për qind të kapacitetit të stadiumit për shikues”, ka thënë Ademi për KOHËN. Kosova ndaj Gjeorgjisë luan më 12 tetor prej orës 20:45. Kjo ndeshje u takon kualifikimeve për Botërorin e vitit të ardhshëm.