Maribor, 26 shtator (KD) - Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll (femrat) ka humbur ndeshjen e parë të fazës së dytë të kualifikimeve për "Euro 2020". Të enjten në Maribor, Kosova u mposht nga Përfaqësuesja e Sllovenisë me rezultatin 32:23. Pas pjesëlojës së parë, shifrat ishin 16:10 në të mirë të hendbollisteve sllovene.
Pavarësisht humbjes, hendbollistet e Kosovës patën paraqitje solide, që jep sinjale për ndeshje edhe më të mira në të ardhmen. Sllovenia është ekip cilësor e me lojtare me shumë përvojë dhe këtë vit do të luajë në botërorin që do të mbahet në Japoni, transmeton Koha Ditore.
Pas kësaj ndeshjeje në Maribor, Kosova menjëherë duhet të mendojë për duelin tjetër në kuadër të kësaj faze, të cilin e luan në Prishtinë kundër një ekipi edhe më të fortë, Gjermanisë. Ndeshja luhet të dielën (20:00).
Ndaj Sllovenisë, Kosova nuk e nisi lojën mirë, por në vazhdim "dardanet" arritën të marrin veten sa për të mos humbur thellë.
Sllovenia gjatë tërë kohës ishte në epërsi.
Në këtë ndeshje, hendbollistja Albana Arifi pati debutim të mirë, pasi ndeshjen e mbylli me tetë gola. Arifi së bashku me kapitenen Leonora Demaj udhëhoqën lojën e Kosovës. Arifi ishte më efikasja te Kosova, kurse Demaj ndeshjen e përfundoi me gjashtë gola. Paraqitje të mirë tregoi edhe Mirela Gjikokaj. Për herë të parë te Kosova ishin edhe Meltem Ylberi e Marijeta Lekaj. Krahas lojtareve edhe portieret Njomëza Kelmendi e Aurora Shehdadi, u dalluan me disa pritje të mira.
Kosova është pjesë e grupit të tretë, të cilin e përbën edhe Bjellorusia. Përveç, Sllovenisë edhe Gjermania do të paraqitet në botërorin e këtij fundviti. Gjermania është ish-kampione e botës.