Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kosova ngrihet për dy pozita në ranglistën e FIFA-s

Përfaqësuesja e Kosovës është ngritur për dy pozita në ranglistën e FIFA-s, të publikuar të premten për muajin nëntor. “Dardanët” për këtë muaj, renditen në pozitën e 111 të kësaj rangliste me 1163 pikë të mbledhura.

Këtë muaj, Kosova i luajti dy ndeshje, miqësoren që e humbi në Prishtinë nga Jordania (2:0) dhe duelin kualifikues për Botërorin “Katari 2022” që barazoi 1:1 në Athinë kundër Greqisë.

Në krahasim me muajin e shkuar, Kosova për këtë muaj ka edhe dy pikë më shumë. Muajin e shkuar, Kosova ishte e 113-ta dhe kishte 1161 pikë të mbledhura.

Ndërkohë, Përfaqësuesja e Shqipërisë ka rënë për tri pozita në ranglistën e këtij muaji. Zë vendin e 66-të me 1374 pikë të mbledhura.

Sa i përket pozitës së parë, atë ende e mbanë Belgjika me 1828 pikë të mbledhura, duke lënë pas vetes Brazilin (1826), Francën (1786), Anglinë (1755) dhe Argjentinën (1750) që mbyllin pesë pozitat e para të ranglistës së FIFA-s për këtë muaj.