Sport

Kosova në vitin 2030 pritet të organizojë Lojërat Mesdhetare, ngjarjen me 3.000 sportistë e 26 vende

Kosova ka debutuar me tri medalje të arta e një të argjendtë në Lojërat Mesdhetare. Xhudistët Distria Krasniqi, Nora Gjakova e Akil Gjakova kishin fituar medalje të arta, ndërsa Loriana Kuka medalje të argjendtë. Kjo ndodhi në Tarragona të Spanjës në verën e vitit 2018.

Në Oran të Algjerisë, verën e kaluar, numri i medaljeve të Kosovës në Lojëra Mesdhetare u rrit në gjashtë, prej tyre tri të arta. Të artat sërish i fituan xhudistet Distria Krasniqi, Laura Fazliu e Loriana Kuka. Flaka Loxha e Akil Gjakova fituan medalje të bronzta në xhudo, ndërsa një të bronztë e fitoi edhe boksieri Shpejtim Bajoku.

Në Taranto të Italisë, në vitin 2026, Kosova do të synojë më tepër medalje se në Oran. Por, edhe më shumë do të kërkojë në Lojërat Mesdhetare të vitit 2030. Ato Lojëra, me shumë mundësi, do të organizohen në Kosovë.

Kosova, përkatësisht Komiteti Olimpik i Kosovës, tashmë ka paraqitur kandidaturën që Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 të mbahen në Prishtinë. Do të ishte kjo një e arritur e madhe e Kosovës sa i takon organizimit të ngjarjeve sportive ndërkombëtare.

Lojërat Mesdhetare janë ngjarje shumësportëshe, ku marrin pjesë sportistë nga dhjetëra vende nga Evropa, Azia e Afrika. Lojërat Mesdhetare mbahen çdo katër vjet, ndërsa organizohen nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG).

Ky Komitet ka konfirmuar kandidaturën e Kosovës për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030. Afati i fundit për të shpallur kandidaturën ishte 31 marsi.

“Komiteti Olimpik i Kosovës ka shfaqur interesim për të organizuar Lojërat Mesdhetare 2030 në Prishtinë, kryeqytetin e vendit. Komiteti Olimpik i Portugalisë ka shfaqur interesim për të organizuar Lojërat Mesdhetare në Plazh në vitin 2027, në qytetin Portimao. Dy Komitetet Olimpike duhet të dorëzojnë dosjen e kandidaturës deri në fund të qershorit, ndërsa Komisioni Vlerësues i ICMG-së do të ketë vizita inspektuese në të dy vendet”, shkruan në njoftimin e ICMG-së.

Më 8 shtator, në Heraklion të Greqisë, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të ICMG-së, pritet që Kosova të zyrtarizohet si nikoqire e edicionit të 21-të të Lojërave Mesdhetare. ICMG-ja në njoftim e ka bërë punë thuajse të kryer mbajtjen e Lojërave Mesdhetare në Prishtinë.

“Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare mirëpret me shumë kënaqësi interesimin e dy Komiteteve Olimpike, që janë anëtaret më të reja të familjes mesdhetare. Përkushtimi i tyre kontribuon në zhvillimin e mëtejmë të ngjarjes, por edhe përhapjen e vlerave dhe idealeve të Lojërave në gjithë pellgun e Mesdheut”, shkruan tutje në njoftim.

Pjesë e ICMG-së janë vende si Shqipëria, Algjeria, Andorra, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Qipro, Egjipti, Franca, Greqia, Italia, Kosova, Libani, Libia, Malta, Monaco, Mali i Zi, Maroku, Maqedonia e Veriut, Portugalia, San Marino, Serbia, Sllovenia, Spanja, Siria, Tunizia dhe Turqia. Pra, plot 26 shtete. Një pjesë e këtyre vendeve nuk e njohin shtetin e Kosovës dhe mbetet të shihet nëse kjo do të paraqesë problem për të fituar të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare.

Organizimi i kësaj ngjarjeje kërkon investim të madh, milionësh, ndërsa përfitimi më i madh pritet të jetë në përmirësimin e infrastrukturës sportive në vend.

Në Lojërat Mesdhetare garojnë sportistë të vendeve që kanë dalje në detin Mesdhe, apo që janë afër tij gjeografikisht. Lojërat e para Mesdhetare janë mbajtur në Aleksandri të Egjiptit, në vitin 1951. Deri më tani janë mbajtur 19 edicione të Lojërave Mesdhetare.

Italia e Franca janë vendet më të suksesshme në këtë ngjarje. Në pesë edicionet e fundit sportistët e Italisë fituan numrin më të madh të medaljeve.

Pranimi i Kosovës në ICMG nuk ishte proces i thjeshtë dhe i lehtë. Por, pozita e Kosovës në këtë organizatë është përmirësuar me kalimin e kohës dhe rrjedhimisht erdhi edhe oferta për të organizuar ngjarjen e madhe. Po ashtu pjesëmarrja në Tarragona nuk kaloi pa telashe për Kosovën, sa i takon prezantimit.

Në Lojërat e fundit Mesdhetare, të mbajtura vjet në Oran të Algjerisë, morën pjesë 3.298 sportistë. Është garuar në 24 sporte të ndryshme, në 234 ngjarje gjithsej. Në disa sporte paraqiten më të mirët e 26 vendeve pjesëmarrëse. Në disa të tjera konkurrenca është më e zbehtë.

Në programin e Lojërave Mesdhetare aktualisht janë sporte si: noti, atletika, xhudoja, basketbolli, boksi, futbolli, gjimnastika, hendbolli, volejbolli, karateja, mundja e sporte të tjera. Në vitin 2030, në Prishtinë, Kosova pritet të garojë në shumicën e sporteve të programit mesdhetar. Dhe, shpresat janë që deri atëherë medaljet nuk do të priten vetëm nga xhudoja.