Sport

Kosova në mesin e katër shteteve më të forta në xhudo

Xhudoja u zbulua në Japoni në shekullin XIX, me kombinimin e disa formave të ndryshme të luftërave. Aktualisht thuhet se rreth 40 milionë persona në të gjithë planetin janë pjesëmarrës në këtë sport, por janë një numër i vogël i shteteve që kanë rekordet më të mira në këtë sport luftarak. Kosova e vogël ka prodhuar sportistë të mëdhenj në sportin e xhudos. Arkitekt i të gjitha sukseseve është trajneri Driton Kuka që ka nxjerrë kampionë olimpikë, botërorë e evropianë, me Majlinda Kelmendin, Distria Krasniqin e Nora Gjakovën lidere. Medalje nga më të ndryshmet janë fituar edhe në “Grand-Slame” e “Grand-Prix”. Falë sukseseve të arritura, sajti “judoinside” të mërkurën e ka përfshirë Kosovën në mesin e katër shteteve më të forta në këtë sport. Ka pak shtete të cilat do të mund të përfshiheshin në listën përfundimtare të katër shteteve më të forta. Kosova nuk njihej për arte marciale të përziera. Por kjo ndryshoi pas lojërave olimpike “Tokio 2020”, ku Kosova i fitoi dy medalje të arta.

“Shteti i vogël i Ballkanit u pranua në Organizatën Olimpike vetëm në vitin 2014, pasi e kanë shpallur pavarësinë vetëm disa vjet më herët. Tani ka tri medalje të arta të fituara në total dhe të gjitha vijnë nga sporti i xhudos”, shkruan të mërkurën “judoinside”.

“Seria impresive nisi në vitin 2016, kur Majlinda Kelmendi ia solli shtetit të saj medaljen e parë të artë nga Brazili në kategorinë deri në 52 kilogramë. Katër vjet më vonë, Kosova fitoi medaljen e dytë dhe të tretë të artë. Të gjitha këto në konkurrencën e femrave. Është interesante dhe garuesit e nivelit më të lartë të shtetit vijnë nga qyteti i Pejës, që është vendi i pesë garuesve që morën pjesë në Lojërat e vitit 2020. Kampionati Botëror i xhudos në vitin 2021 ishte më zhgënjyes, pasi Kosova ka arritur ta fitojë vetëm një medalje të bronztë”.

Medalje të arta olimpike, kanë edhe Distria Krasniqi në kategorinë deri në 48 kilogramë e Nora Gjakova në atë deri në 57 kilogramë. Krasniqi e Gjakova shkëlqyen në Japoni. Kosova ka popullsi më pak se dy milionë banorë, por nuk ka histori në xhudo nga e kaluara. Megjithatë, sukseset e jashtëzakonshme viteve të fundit kanë bërë që shteti i Kosovës të njihet e të ketë respekt të veçantë në mbarë botën. “Natyrisht, mbetet të shihet nëse Kosova mund ta vazhdojë këtë ritëm të lartë dhe të jete një prej shteteve lidere në xhudo në të ardhmen”, vazhdon shkrimi.

Si shtet ku u zbulua xhudoja, nuk është befasi që Japonia është lidere e këtij sporti. Edhe në bastet sportive Japonia është favoritja në garat e xhudos. Xhudoja ishte risi në Lojërat Olimpike të vitit 1964 në Tokio, ndërsa medaljet e para për xhudistët japonezë u fituan në Lojërat Olimpike të Barcelonës në vitin 1992. Tani në këtë kohë Japonia ka 48 medalje të arta, 21 medalje të argjendta dhe 27 medalje të bronzta. Kjo bën që Japonia të jetë larg shteteve të tjera sa u përket medaljeve në këtë sport. Në Lojërat Olimpike 2020 në Tokio, Japonia dominoi sërish, duke fituar nëntë medalje të arta, nga 15 të mundshme. Japonia është edhe në krye të ranglistës botërore. Vendin e dytë në këtë listë e zë Franca. Është thënë se shteti evropian ka rreth 800 mijë garues në këtë sport, që është katërfishi i atyre që marrin pjesë në Japoni. Ky nivel i lartë i popullaritetit bën që në tabelën e medaljeve olimpike të jetë në vendin e dytë. Ka 16 medalje të arta, 13 të argjendta dhe 28 të bronzta. Në Lojërat Olimpike 2020, Franca përfundoi e dyta, me dy medalje të arta, tri të argjendta e tri të bronzta. Në Francë, xhudoja është aktive prej viteve ‘50. Në Evropë ky sport ishte sjellë nga mjeshtri Mikinosuke Kawaishi. Vendin e tretë në këtë listë e zë shteti aziatik Koreja e Jugut, pavarësisht se në ngjarjen e vitit 2020 nuk e kishte fituar asnjë medalje të artë. Rekordi i përgjithshëm i medaljeve të arta është 11-të, 17 të argjendta e 18 të bronzta. Në “Tokio 2020”, Koreja e Jugut ndau vendin e gjashtë me Gjermaninë e Mongolinë. Të tria kishin fituar nga një medalje të argjendtë e dy të bronzta. Në vitin 2012 në Lojërat Olimpike të Londrës ky shtet fitoi disa medalje të arta, por nuk e fitoi asnjë të artë në “Rio 2016”.