Distria Krasniqi e Nora Gjakova do ta nisin si bartëse të para Kampionatin Evropian të xhudos, që prej të premtes deri të dielën mbahet në Lisbonë të Portugalisë. Distria synon titullin në kategorinë deri 48 kilogramë, ndërsa Nora synon titullin e kampiones në kategorinë deri 57 kilogramë.
Dy prej xhudisteve më të mira të vendit garojnë të premten, në ditën e parë të Evropianit për vitin 2021. Distria ka treguar formë të lartë në vitet e fundit dhe synon të bëjë hap tutje në Evropian, pas një medaljeje të argjendtë e një të bronztë. Vjet Distria fitoi të bronztën, por nuk ishte e kënaqur me atë rezultat. Tani synon të artën, ndonëse konkurrenca në kategorinë e saj është shumë e fortë, njëjtë si në kategorinë e Nora Gjakovës.
Bartëse e dytë në kategorinë deri 48 kilogramë është ukrainasja Daria Bilodid. Ky yll i xhudos ka pasur telashe të gjejë formën më të mirë në pandemi. Por në prag të Lojërave Olimpike, Bilodid synon të shfaqë vlerat në ngjarjen kryesore kontinentale.
Të tjera xhudiste synojnë të artën në kategorinë e Distrisë.
“Që nga Grand Slami i Budapestit kemi parë rritjen e Distria Krasniqit, që ka çimentuar rolin e lideres. Por një gabim i vogël i saj bëri që të mbetet pa titull në Evropianin e kaluar”, ka shkruar sajti zyrtar i Unionit Evropian të Xhudos.
EJU ka shkruar se Distria në Evropianin 2020 nuk ishte e kënaqur me medalje të bronztë dhe tani synon të paktën finalen.
Nora Gjakova nuk mundi të merrte pjesë në Evropianin e vitit të kaluar, të mbajtur në nëntor. Ajo u prek nga koronavirusi dhe njëjtë si Akil Gjakova mbeti në shtëpi. Ajo ishte në seri impresive në kampionate evropiane, seri që iu ndërpre dhunshëm pa fajin e saj. Nora ka fituar medalje kontinentale rregullisht nga viti 2015 e deri në vitin 2019. Ka një të artë, një të argjendtë e tri të bronzta.

“Xhudistet më të ranguara evropiane në kategorinë deri 57 kilogramë janë në Evropian dhe presin të dëshmojnë që rangimi është i drejtë. Në majë është Nora Gjakova, një garuese jashtëzakonisht e fortë e ekipit të Kosovës dhe lidere evropiane në kategorinë deri 57 kilogramë. Ajo përcillet nga Sarah Leonie Cysique e Francës. Me një finale potenciale mes tyre nuk ka gjasë të parashikohet fituesja duke u bazuar në histori. Bilanci mes tyre është 1:1”, ka shkruar EJU.
Kosova gjithsej në Evropian do të garojë me gjashtë xhudistë.
Pos dy bartëseve të para i ka edhe dy bartës të dytë. Bartësit përcaktohen në bazë të pozitës që kanë në ranglistën botërore. Akil Gjakova është i teti në ranglistën botërore në kategorinë deri 73 kilogramë, por bartësi i dytë në Evropian. Bartës i parë është izraeliti Tohar Butbul, i gjashti në ranglistën botërore.
Kategoria e Akilit është e mbushur me top-xhudistë dhe jo gjithnjë lista e bartësve ka peshë shumë të madhe. Akil Gjakova po kërkon medaljen e parë evropiane. 25-vjeçari garon të shtunën.
Të dielën garon Loriana Kuka, në kategorinë deri 78 kilogramë. Ajo është bartësja e dytë, pas francezes Estelle Fanny Posvite. Loriana ka dy medalje të bronzta evropiane, në vitet 2019 e 2020.
Podiumin e synon edhe në Lisbonë.
Në ekipin e Kosovës janë edhe dy xhudiste që synojnë shpërthimin te senioret pikërisht në Evropian. Flaka Loxha garon në kategorinë deri 57 kilogramë, ndërsa Laura Fazliu në kategorinë deri 63 kilogramë. Flaka e Laura nuk janë bartëse, por kanë cilësinë për të hyrë në luftë për medalje evropiane.
Në Evropian garojnë 363 xhudistë nga 45 shtete.