Përfaqësuesja e Kosovës në futboll (femrat) do të luajë të shtunën (nesër) miqësore me përfaqësuesen e Luksemburgut.
Ndeshja do të fillojë në orën 16:00 dhe luhet në Bissen të Luksemburgut, është bërë e ditur të premten. Futbollistet e Kosovës janë në mes të ciklit kualifikues për “Euro 2021”.
Kosova renditet në vend të katërt në Grupin A me 6 pikë, sa i kanë edhe Sllovenia e Rusia në pozitat dy e tre. Prin Holanda me 15 pikë. Kosova ka fituar 2:0 ndaj Turqisë e më pas pësoi 5:0 nga Sllovenia në udhëtim.
Në tetor, Kosova fitoi 2:1 në udhëtim ndaj Estonisë, ndërkohë që ndeshja me Rusinë është shtyrë. Ajo ndeshje është dashur të luhet në Prishtinë, por do të luhet në terren neutral, sipas një vendimi të UEFA-s, që ka vendosur që në të ardhmen Kosova e Rusia të mos takohen në ndeshje futbolli.
Kosova nuk ka ndeshje kualifikuese këtë muaj dhe për këtë është aranzhuar miqësorja me Luksemburgun. Të premten është luajtur takimi ndërmjet Turqisë dhe Holandës, ndërsa fitore të thellë (8:0) shënoi Holanda. Kosova më 10 mars të vitit tjetër e pret Slloveninë, ndërsa më 10 prill e pret edhe Holandën.