Sport

Kosova arrin lavdinë në vendin ku kishte shkruar histori

“Epoka e përfaqësueses nis me humbje”. Ky ishte titulli i “Kohës Ditore” në shkrimin e 30 tetorit të vitit 2014, ku raportohej për ndeshjen e parë të Përfaqësueses së Kosovës në hendboll. Pas pranimit të FHK-së me të drejta të plota në EHF dhe IHF, Kosova më 29 tetor 2014 në Bukuresht të Rumanisë e luajti ndeshjen e parë zyrtare të saj.

Ishte ndeshja e fazës së parë kualifikuese për “Euro 2018”, ndaj Rumanisë. Kosova humbi bindshëm në “Dinamo Polyvalent Hall” në Bukuresht me rezultatin 36:24. Ndeshja ishte luajtur para 1000 shikuesve, ndërsa atmosfera ishte e mirë. Kosova me atë ndeshje shkroi histori, nisi epokën.

Në vendin ku nisi epokën, Kosova u kthye të dielën. Ndaj Rumanisë me të kaluar të artë, arriti suksesin më të madh deri më tani. Kosova fitoi me rezultat bindës, 30:25, për të hyrë në luftë për kualifikim në “Euro 2022”. Ndeshja i takoi fazës së dytë eliminatore për Evropianin e ardhshëm. U luajt në “Polyvalent Hall” në Bukuresht pa praninë e shikuesve. Fitorja e Kosovës ka shokuar rumunët, që po kërkojnë ndryshime të mëdha në Federatë dhe që rezultatin e kanë vlerësuar turpërues. Ndërkohë, te Kosova është rritur shumë entuziazmi dhe tashmë kualifikimi në Evropian vlerësohet real.

Prej më të mirëve te Kosova ishte Egzon Gjuka, që në Përfaqësuese po luan më shumë si bek, ndonëse pozita e tij natyrale vlerësohet qendër. Gjuka ishte pjesë edhe e ndeshjes historike të 29 tetorit të vitit 2014. Pos tij edhe disa prej lojtarëve kryesorë aktualisht te Kosova ishin në ndeshjen që shënoi epokën.

Pejani Gjuka ka ndryshuar shumë prej atëherë. Ka ndryshuar edhe Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll. Ndër të tjera, rezultati ndaj Rumanisë të dielën e dëshmon këtë. Më 29 tetor 2014 Kosova kishte humbur 36:24 e tani fitoi me pesë gola dallim. Gjuka e ndien nga afër ndryshimin. Dhe flet me mburrje për rritjen e madhe të Kosovës.

“Ishte viti 2014 kur morëm lajmin se Kosova për herë të parë do të marrë pjesë në kualifikimet për Kampionatin Evropian. Ndeshjen e parë do ta zhvillonim me Rumaninë. Edhe pse në moshë të re, pata fatin të jem pjesë e ekipit të Kosovës që udhëtonte në Bukuresht. Për ne lojtarët në atë kohë ishte një ëndërr, sepse do të fillonim të luanim kundër përfaqësueseve që vetëm në televizion i kishim parë. Fillimi ishte i vështirë, kryesisht për shkak të mungesës së përvojës ndërkombëtare. Mosha e lojtarëve ishte shumë e re, 17 deri në 23 vjet, ndërsa edhe përgatitja fizike dhe psikologjike nuk ishte si është tani. Kishte shumë faktorë që ndikuan që ta humbim ndeshjen me rezultat të thellë, njëjtë si ndeshjet e tjera. Por atëbotë e rëndësishme ishte pjesëmarrja, ndonëse përpjekjet nuk kanë munguar asnjëherë për rezultate pozitive”, ka treguar Gjuka në një bisedë për KOHËN.

Ai tregon se serioziteti në Përfaqësuese dhe rreth saj është rritur vazhdimisht ndër vite.

Por për suksese është dashur të pritet më gjatë. Në Prishtinë më 1 nëntor 2014, Kosova kishte humbur 30:16 nga Rumania. I humbi thellë edhe dy ndeshjet me Italinë për të mbetur e fundit në grup në fazën e parë kualifikuese për Evropianin 2018. Pa fitore Kosova mbeti edhe në kualifikimet për Botërorin 2017 e atë 2019. Ndërkohë fitoi dy medalje të bronzta në kampionatet e IHF-së për vendet me hendboll në zhvillim. Medalja e dytë e bronztë i mundësoi që të dalë në fazën e dytë të kualifikimeve për Evropianin 2020, ndonëse në fazën e parë mori vetëm një pikë. Barazimi 24:24 me Turqinë më 6 nëntor 2016 solli pikën e parë për Kosovën në kualifikime. Por kalimi tutje u bë i mundur vetëm falë kampionatit të IHF-së për vendet me hendboll në zhvillim, përkatësisht falë vendit të tretë në atë garë të mbajtur në Bullgari në vitin 2017.

Hapi i madh para u bë pikërisht në fazën e dytë kualifikuese për “Euro 2020”. U arrit fitorja 27:24 ndaj Izraelit, më 10 prill të vitit 2019 e më pas barazimi i vlerësuar shumë lart ndaj Polonisë, më 12 qershor të vitit 2019. Kosova ishte duke udhëhequr, por në sekondën e fundit pranoi gol për 23:23. Kosova mbeti e fundit në grup, por hapi tutje u bë.

Image

Në janar të vitit të kaluar, Kosova barazoi me Italinë, humbi thellë sërish nga Rumania dhe e mposhti Gjeorgjinë, për hapin tjetër tutje. Përfundoi e dyta në grup në fazën e parë kualifikuese për Botëror.

Kualifikimet për “Euro 2022” i nisi prej fazës së dytë dhe pas humbjeve në vjeshtë nga Mali i Zi dhe Suedia, erdhën barazimi dhe fitorja e vlerësuar shumë lartë ndaj Rumanisë.

“Puna që filloi të bëhej nga trajnerët e asaj kohe dëshmonte që një ditë do të vijë dita jonë dhe do të shfaqim potencialin. Gjithsesi ndeshja në Rumani është ende në kujtesën e secilit lojtar për arsye se për herë të parë Kosova po prezantohej në skenën evropiane. Çdo gjë ishte në rregull në Rumani, pos rezultatit”, thotë Gjuka.

Sinjalet e para, sipas tij, erdhën në vitin 2015 kur nën drejtimin e Taib Kabashit, Kosova u rendit e treta në kampionatin e IHF-së për vendet me hendboll në zhvillim. Kjo garë i takon historisë për Kosovën.

“Ndryshimi më i madh filloi kur Taip Ramadani erdhi në postin e selektorit. Nuk vonuan shumë dhe u arritën rezultatet me Turqinë, Izraelin e Poloninë. Niveli i lojtarëve po rritej vazhdimisht, pra edhe i ne lojtarëve që ishim pjesë e klubeve të vendit e po ashtu i atyre që luanin e luajnë në vendet evropiane. Synim më nuk ishte vetëm pjesëmarrja, por rezultati. Turneu në Itali, në janar të vitit 2020, ishte sinjal i mirë që ne po rritemi dhe se shumë shpejtë do të ishim pretendentë”, thotë Egzon Gjuka, tani 25-vjeçar.

Ciklin aktual Kosova nuk e nisi me rezultate të mira. Ndonëse ndaj Malit të Zi kishte paraqitje solide, ndeshja u humb. Suedia vlerësohet nivel tjetër dhe fitoi thellë, në nëntor të vitit të kaluar.

“Më në fund erdhi momenti ynë dhe pikërisht ndaj përfaqësueses që na ka mposhtur në ndeshjen e parë. E dinim rëndësinë e këtyre ndeshjeve dhe synim e kishim vetëm fitoren. Barazimi në Prishtinë ishte trimërues, por edhe pak dëshpërues, pasi synonim vetëm fitoren. Në Bukuresht ofruam spektakël. Loja ishte e përkryer nga të gjithë lojtarët dhe dëshmuam se rezultati në Prishtinë ishte në favor të rumunëve pasi ne e kishim merituar fitoren. Dëshmuam se gjatë këtyre shtatë vjetëve Kosova ka bërë hapa shumë më të mëdhenj se Rumania, sa i takon Përfaqësueses. Tani synimin e kemi të qartë – të kualifikohemi në Evropian. E dimë që do të jetë shumë vështirë, por ne do të japim maksimumin si gjithmonë për të shpërblyer punën e të gjithëve, të gjithë atyre që ishin pjesë e këtij rrugëtimi”, ka theksuar Gjuka.

Pos Gjukës, në atë ndeshje të 29 tetorit të vitit 2014 ishin edhe kapiteni aktual, Valon Dedaj, pastaj Kastriot Jupa e Deniz Terziqi.

Tani Kosovës i duhet fitorja ndaj Malit të Zi, më 28 prill, për të siguruar pjesëmarrjen në Evropianin e vitit të ardhshëm. Dedaj, Jupa, Gjuka, Terziqi dhe të tjerët vlerësojnë se janë gati për pjesëmarrje në ngjarjen e madhe.