Një kontejner i madh dhe i harruar prej kohësh me qindra artikuj kujtimesh nga karriera e yllit të ndjerë të futbollit argjentinas Diego Armando Maradona mund të sigurojë një thesar për koleksionistët - dhe të hapë një front të ri në garën mbi pasurinë e tij.
Fanellat e firmosura nga Sergio Aguero, Ronaldo Nazario, Harry Kane dhe Hristo Stoichkov janë midis kujtimeve në këtë kontejner, që ishte vendosur në një në magazinë në periferi të Buenos Airesit, së bashku me topa të futbollit nga Barcelona, Napoli e Boca Juniors, si dhe një pllakë që iu dha Maradonas nga organi drejtues i futbollit FIFA. Ka edhe fanella të veshura nga vetë Maradona, si dhe momente politike të marra si dhurata nga udhëheqësit e majtë që ai i admironte aq shumë. Një fanellë e Brazilit ka emrin “Lula” në pjesën e pasme, duke iu referuar ish-presidentit brazilian, si dhe ka një letër nga udhëheqësi i ndjerë i Kubës, Fidel Castro.
“Ju keni kaluar provat më të vështira për një sportist dhe një të ri me origjinë të përulur”, i shkroi Castro lojtarit të futbollit, i cili kaloi disa vjet në Kubë duke u rikuperuar nga varësia prej drogës dhe alkoolit.
Maradona vdiq muajin e kaluar nga një sulm në zemër në shtëpinë e tij në Buenos Aires, në moshën 60-vjeçare. Ekzistenca e kontejnerit me qindra sende brenda u soll në vëmendjen e autoriteteve gjyqësore dhe përmbajtja e tij tashmë është futur në katalog nga zyrtarët, pranoi një burim i afërt me familjen e Maradonas.
“Ka vetëm një çelës për kontejnerin dhe atë tashmë e kanë zyrtarët gjyqësorë”, zbuloi burimi.
Edhe
Nga ish-partnerët te fotografët, pasuria e Maradonës synohet nga shumë njerëz
Përmbajtja brenda kontejnerit mund të ashpërsojë edhe më shumë betejën ligjore në zhvillim e sipër për pasurinë e Maradonas, të cilën revista “Forbes” e vlerësoi se vlente midis 10 dhe 40 milionë dollarë. Maradona ka pesë fëmijë të njohur legalisht dhe gjashtë të tjerë me pretendime se janë pasardhësit e tij. Ata, së bashku me ish-partnerët dhe bashkëpunëtorët e biznesit, janë midis atyre që pretendojnë për një pjesë të pasurisë së tij. Vlera e pjesëve është e pamundur të vlerësohet, por biznesi i gjërave sportive është në lulëzim dhe Maradona, i cili konsiderohet gjerësisht si një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, mund të sjellë përfitime për të gjithë ata që marrin në pronësi ato fanellë e gjëra të tjera. Një ekspert amerikan muajin e kaluar i tha se fanella e veshur nga argjentinasi kur ai shënoi golin e tij të famshëm që njihet si “Hand Of God” kundër Anglisë në Kupën e Botës të vitit 1986 në Meksikë, mund të vlejë deri në dy milionë dollarë. Maradona dihet gjithashtu se ka lënë pasuri të patundshme, makina luksoze dhe stoli të grumbulluara gjatë kohës që kaloi duke luajtur dhe stërvitur në Argjentinë, Spanjë, Itali, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bjellorusi dhe Meksikë.
“Brenda kontejnerit ka këpucë dhe fanella historike, një letër e nënshkruar nga Fidel Castro, një kitarë nga këngëtari Andres Calamaro dhe dy kasaforta”, pranoi Mario Baudry, avokati që përfaqëson djalin e Maradonës, Dieguito Fernando. “Diego më kërkoi të gjeja kontejnerin dhe tha se gjithçka brenda tij ishte për Dieguiton. Por, nuk ka asgjë të shkruar zyrtarisht, kështu që gjykata duhet t’u përgjigjet të gjithë fëmijëve në mënyrë të barabartë”.