Sport

Kompletohen 16 skuadrat më të mira në Champions

Ka përfunduar faza e grupeve në Ligën e Kampionëve, dhe janë mësuar emrat e të gjitha ekipeve që do të jenë pjesëmarrëse në fazën e nokautit.

Të mërkurën mbrëma, Real Madridi, Atletico Madridi, Monchengladbach dhe Atalanta, i kanë kompletuar 16 skuadrat më të mira të kësaj gare deri tani.

Real Madridi fitoi ndaj Monchengladbachut me rezultatin 2:0, me dy golat e shënuara nga Karim Benzema.

Interi ndërkohë në Grupin B, ku Reali ishte i pari me 10 pikë, eliminohet për herën e tretë rresht nga faza e grupeve në Champions.

Atletico Madridi fitoi në ndeshjen direkte për kalim tutje ndaj Salzburgut. Austriakët humbën në shtëpi me rezultatin 2:0. Për spanjollët, golat i shënuan Hermoso dhe Yannick Carrasco.

Në po të njëjtin grup, Bayerni kryesoi grupin me 16 pikë, pas fitores tjetër 2:0 ndaj Lokomotivës së Moskës me golat e Niklas Sules dhe Choupo-Motingut.

Atalanta e befasoi Ajaxin si mysafir, dhe fitoi 1:0. Golin e vetëm dhe të kualifikimit e realizoi Luis Muriel në minutën e 85-të.

Në takimin tjetër, Liverpooli që kaloi tutje më herët, barazoi në udhëtim te Midtjyllandi 1:1. Mohamed Salah shënoi për Liverpoolin ndërsa Alexander Scholz për vendësit.

Në Grupin C, Manchester City mposhti lehtësisht Marseillen 3:0 me golat e Ferran Torresit, Sergio Agueros dhe Raheem Sterlingut. City ka 16 pikë, ndërsa Porto i dyti me 13 pikë. Porto të mërkurën fitoi në udhëtim te Olympiakosi me rezultatin 2:0. Golat i shënuan Otavio dhe Mateus Uribe.

Në ndeshjen e mbetur PSG-Basaksehir, fituan francezët thellë 5:.1 Kjo ndeshje u desh të zhvillohej të martën, por u ndërpre pas fyerjeve raciste në futbollistin Demba Ba.

Neymar për Parisin realizoi hat-trick, kurse Kylian Mbappe i shënoi dy gola në fitore.

Për skuadrën turke, golin e vetëm e shënoi Mehmet Topal.

Shorti për fazën e 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve do të hidhet të hënën më 14 dhjetor në Nyon të Zvicrës.

Image