Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kompanitë e basteve largohen nga fanellat e klubeve të Premier Leagues

Emrat e kompanive të basteve si sponsorë që gjenden në pjesën e përparme të fanellave të skuadrave nga Premier League, do të largohen deri në fund të sezonit 2025/26 pas një marrëveshjeje kolektive nga klubet, njoftoi liga angleze të enjten. Tetë nga 20 klubet më të mira të Anglisë aktualisht kanë fanella të sponsorizuara nga kompanitë e basteve, lojërave të fatit. Periudha trevjeçare e këtij transicioni do të lejojë që marrëveshjet ekzistuese të përfundojnë, në mënyrë që klubet të mos përballen me ndëshkime për ndërprerjen e kontratave.

“Klubet e Premier Leagues kanë rënë dakord kolektivisht të tërheqin sponsorizimin e kompanive të basteve nga pjesa e përparme e fanellave, duke u bërë liga e parë sportive në Mbretërinë e Bashkuar që merr një masë të tillë vullnetarisht për të reduktuar reklamat e lojërave të fatit”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Premier League.

“Njoftimi vjen pas një konsultimi të gjerë që përfshin Ligën, klubet e saj dhe Departamentin për Kulturë, Media dhe Sport, si pjesë e rishikimit të vazhdueshëm nga Qeveria të legjislacionit aktual të lojërave të fatit”.

Emrat e kompanive të basteve në pjesën e përparme të fanellave të futbollit tashmë janë shpallur të jashtëligjshme në Itali dhe Spanjë. Rishikimi i legjislacionit të lojërave të fatit nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar thuhet se nuk do të ketë një ndalim të plotë për sponsorizimin e fanellave për shkak të vështirësive financiare që do t'u shkaktonte klubeve që nuk do të jenë pjesë e Premier Leagues. Megjithatë, Premier League, e cila krenohet me të ardhurat më të larta të të drejtave televizive nga çdo ligë futbolli në botë, ishte nën presion për të hyrë në një marrëveshje vullnetare. Bournemouthi, Brentfordi, Evertoni, Fulhami, Leeds Unitedi, Neëcastle Unitedi, Southamptoni dhe West Ham Unitedi janë tetë skuadrat që aktualisht kanë sponsorë të lojërave të fatit në pjesën e përparme të fanellave të tyre. Aston Villa gjithashtu ka nënshkruar një marrëveshje me firmën e lojërave të fatit “BK8” për tri sezonet e ardhshme.

“Premier League po punon gjithashtu me sporte të tjera për zhvillimin e një kodi të ri për sponsorizimin e përgjegjshëm të lojërave të fatit”, thuhet në deklaratën e Premier Leagues. “Për të ndihmuar klubet në largimin e tyre nga sponsorizimi i lojërave të fatit, marrëveshja kolektive do të fillojë në fund të sezonit 2025/26”.

Kështu që, prej sezonit 2026/27 klubet e Premier Leagues nuk do të kenë asnjë emër të kompanive të basteve në pjesën e përparme të fanellave të tyre.

Artikuj të ngjashëm