Komisioni i Apelit të UEFA-s sot ka marrë vendim që dënimi prej 10 vjet të largimit të Skënderbeut nga garat evropaine do të jetë në fuqi, pasi faktet e paraqitur të klubit korçar nuk ishin të mjaftueshme.
UEFA ka përjashtuar Skënderbeun për 10 vjet nga garat evropaine, dhe e ka gjobitur me 1 milion euro me dyshimin për trukim të ndeshjeve, transmeton Koha.net. Klubi shqiptar ka mohuar këto akuza dhe tani ka konfirmuar se rasti do të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv – CAS, transmeton Koha.net.
“Sot, më datë 4 maj 2018, Komisioni i Apelit i UEFA-s shpalli vendimin mbi ankimin e paraqitur nga KF Skënderbeu. Siç ishte paralajmëruar dhe pritej, asnjë ndryshim nga vendimi pararendës nuk është bërë nga Komisioni i Apelit, pavarësisht argumenteve dhe provave të paraqitura nga pala jonë në seancën dëgjimore të datës 26 Prill 2018”, bën të ditur klubi korçar përmes faqes zyrtare.
KF Skënderbeu bën me dije se, brenda afateve ligjore, do të paraqesë ankim në CAS, ku do të parashtrohen të gjitha faktet dhe provat që rrëzojnë qëndrimin paragjykues të organeve juridike të UEFA-s.
“Drejtësia për përfitime personale nuk është drejtësi, veçse abuzim me pozicionin dominues. KF Skënderbeu është i sigurt në pafajësinë e plotë të kujtdo lojtari apo zyrtari të klubit. Për këtë, të gjitha rrugët e mundshme ligjore do të ndiqen për mbrojtjen e integritetit dhe arritjeve tona historike”, thotë KF Skënderbeu.