Sport

Komentatori kroat kërkon falje për gabimin në ndeshjen Dinamo – Skënderbeu

Komentatori kroat i televizionit HRT, Stjepan Balog, përmes një emaili zyrtar dërguar klubit të Skënderbeut, ka kërkuar falje për gabimin gjatë komentimit të ndeshjes së ekipit shqiptar me Dinamon e Zagrebit.

Gjatë komentimit, Balog kishte thënë: Sot të gjithë mund të luajnë futboll, ka ikur koha kur shqiptarët i njihnim si shitës akulloresh”.

Ndaj këtij komentimi Balog ka marrë ankesa nëpër rrjetet sociale, por ka kërkuar falje, duke thënë se nuk ka dashur të fyejë shqiptarët.

“Komentatori HRT, televizioni kombëtar Kroat, Z. Stjepan Balog ka dërguar një email në adresen e klubit ku ka kërkuar falje për shprehjen e tij në komenti. Z. Balog kërkon falje klubit dhe gjithë Shqiptarëve të prekur nga fjala e tij, por sipas Balog asnjë moment nuk ka dashur të ofendojë popullin tonë e më tepër të ndikojë në marrëdhënien e mirë mes Shqipërisë dhe Kroacisë”, thuhet në njoftimin e klubit të Skënderbeut.

Ndërsa Balog në email ka sqaruar se nuk ka dashur të ofendojë popullin shqiptar me komentimin e tij të ndeshjes, transmeton Koha.net.

“Kam marrë shumë mesazhe nga njerëz shqiptar të cilët janë të nevrikosur nga komenti im në ndeshjen Dinamo Zagreb - Skënderbeu. Nuk i kam shprehur ato fjalë në kontekstin e parë dhe nuk kam dashur të ofendoj popullin shqiptar. I kërkoj falje të gjithëve dhe nuk dëshiroj që fraza e gabuar të ndikojë në miqësinë e mirë mes dy popujve. Unë e di shumë mirë që shumë shqiptarë kanë luftuar për lirinë e Kroacisë”, ka sqaruar Balog.
“Ju lutem ta shpërndani mesazhin tim dhe faljen time në gjithë mediat shqiptare.
Ju falënderoj për mirëkuptimin”.

Ndeshja e parë që u zhvillua në Zagreb përfundoi 1 me 1.

Image