Portieria e Kosovës, Florentina Kolgeci, ka thënë pas ndeshjes me Poloninë se Kosovës i mungoi fati në disa raste. Ndërkohë, përmendi edhe tifozërinë “Dardanët”, të cilëve u bëri thirrje që të jenë të pranishëm në ndeshjet e ardhshme të Kosovës në futboll, në konkurrencën e femrave.
“Jemi munduar ta japim maksimumin për të dalë sa më mirë nga kjo ndeshje. Ndoshta fati nuk ishte me ne në pjesën e parë. U munduam të bënim gjithçka që ta barazonim apo ta fitonim ndeshjen, mirëpo nuk patëm fat. Kur luan për shtetin tënd, dëshiron të japësh 120% nga vetja. Unë ndihem shumë mirë në portën e Kosovës. U lëndova në kokë. Ishte një dhimbje që nuk ishte e durueshme, por duhet të sakrifikojmë gjithçka për fanellën e Kosovës”, tha fillimisht portieria e Mitrovicës.
Ajo foli edhe për ballafaqimin e radhës për këtë vit që Kosova do ta zhvillojë më 30 nëntor kundër Shqipërisë. Do të zhvillohet sërish në stadiumin “Fadil Vokrri”, dhe është e rëndësishme për kualifikim në Botërorin 2023.
“Në ndeshjen me Shqipërinë do të hyjmë vetëm për fitore. Asnjë rezultat tjetër. Do të kisha dëshirë të ktheheshin “Dardanët” sepse do të ishin forcë shtesë dhe më e madhe për neve. U bëj thirrje publike”, theksoi Kolgeci.