Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Koleksioni i veçantë i këpucëve të Valon Berishës

Ka fituar tituj në Austri, ka luajtur për një klub të madh në Itali dhe ka përfaqësuar Kosovën në nivel ndërkombëtar. Por Valon Berisha ka më shumë sesa kaq.

Lojtari i Melbourne Cityt, i huazuar nga ekipi i Ligue 1, Stade de Reims, ka numër të pabesueshëm të këpucëve, shkruan sajti australian “keepup.com.au”.

Koleksioni i këpucëve të futbollistit të Kosovës duhet të shihet për t'u besuar, shkruan mediumi australian. Në shtëpinë në Norvegji, ish-mesfushori i Lazios ka më shumë se 250 palë këpucë. Në Kosovë Berisha thotë ka 50-100 palë të tjera, kurse në Melburn ka 15-20 palë këpucë. Derisa përgatitet për derbin e Melburnit ndaj Melbourne Victory, 30-vjeçari prezantoi këpucët.

“I kam dashur këpucët që në moshë të re, por më shumë në vitet e fundit. Forma e këpucëve, ngjyrat, gjithçka. Sapo ti shoh më pëlqejnë. Kur i mbath ndihem shumë mirë dhe nuk kam fjalë për ta përshkruar ndjenjën. Nëpër dyqane unë i shikoj vetëm këpucët. Sigurisht që të gjithë më kritikojnë për këpucët e shumta që i blejë”, pranoi Berisha. “Jam veçanërisht i dhënë pas modës dhe këpucëve. Këpucët në përgjithësi, nuk ka rëndësi se cila markë, nëse kanë një formë të mirë dhe mua më pëlqejnë, me siguri se do t'i blej”.

Duke parë me buzëqeshje këpucët e tij, Berisha shtoi: “Kur erdha këtu mora më shumë këpucë me marka të njohura. Do të kisha sjellë më shumë gjëra por tani po i kompensojë duke blerë ato që nuk i kam me vete”.

Janë një palë këpucë që bien në sy. Dhe, ato lidhen me një dhuratë nga shokët e tij të skuadrës australiane. Ata i kanë bërë mesfushorit dhuratë një palë këpucë që kanë inicialet LV.

Edhe Skuadra nga Polonia e Zvicra interesohen për Valon Berishën Futboll Skuadra nga Polonia e Zvicra interesohen për Valon Berishën

“Kjo dhuratë është si një shaka”, tha Berisha, duke treguar një palë këpucë të improvizuara “Louis Vuitton”.

“Ata kishin vënë inicialet e mia, Valon Berisha dhe më pas kishin bërë stemën e Louis Vuittonit pikërisht aty. Kjo ishte qesharake. Më pëlqen shumë kjo. Ndoshta do t'i mbathi një herë me një veshje Louis Vuitton. Le të shohim se çfarë thonë djemtë për këtë”.

Berisha ka bërë përshtypje që kur u transferua në Melburn, duke shënuar një herë në 15 paraqitje për skuadrën e Cityt, që udhëheq në krye të tabelës.