Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Klubi danez mundëson prani virtuale të tifozëve në tribuna

Tifozët mund të mos lejohen të përkrahin skuadrat e tyre në stadiume kur Superliga në Danimarkë të rifillojë, por AGF Aarhus do t’i lejojë ata të jenë prezent në “Ceres Park” për ta mbështetur ekipin, ndonëse vetëm virtualisht.

Aarhusi i vendit të tretë luan ndaj Randerit në ndeshjen e parë pas vazhdimit të ligës, më 28 maj. Klubi do të mundësoj që tifozët të jenë të pranishëm përmes video-konferencës, përkatësisht përmes programit “Zoom”, ku pamja e tyre do të shfaqet në disa ekrane karshi fushës.

Tifozët mund të aplikojnë për “biletat” gratis dhe do të lejohen të zgjedhin tribunën virutale, me 22 seksione për të zgjedhur.

“Ne jemi krenarë të bëhemi klubi i parë në botë që përdorim këtë”, ka thënë shefi ekzekutiv i Aarhusit, Jacob Nielsen.

“Duket që do të jemi pa shikues për një kohë, kështu që mund të inspirojmë për iniciativa të ngjashme klubet tjera, që po ashtu mund të përfitojnë prej kësaj”.

“Zoom” është dëshmuar si platformë shumë e popullarizuar. Është përdorur nga miliona njerëz që ishin të izoluar për shkak të koronavirusit. Në Kosovë është përdorur shumë për të vazhduar mësimin.