Situata e vështirë financiare në shumë nga klubet kryesore të Brazilit, ka bërë që të rinjtë të shiten shumë herët nëpër klubet e Evropës.
Manchester City së shpejti do të mirëpresë anëtarin e fundit të kontingjentit brazilian. Ederson, Fernandinho dhe Gabriel Jesus pa dyshim do të jenë të ngarkuar për ta bërë të riun Kayky të ndihet si në shtëpi, pasi sulmuesi i talentuar të përfundojë lëvizjen e tij prej dhjetë milionë eurosh nga Fluminense në fund të vitit, kur edhe do të mbushë 18 vjet.
Me vetëm disa lojëra te Fluminense, sulmuesi është një bast për Cityn.
Por transferimi ka edhe anën tjetër të medaljes. Vlerësimet për të ardhmen e lojës në vendin e dhënë pas futbollit janë shqetësuese. Është duke u bërë gjithnjë e më e vështirë edhe për klubet më të mëdha t’i mbajnë lojtarët e tyre perspektivë.
“Ai erdhi, na joshi, bëri përshtypje dhe u largua. Kayky u shit në Manchester City si disa thasë me fara soje”, shkroi gazetari i “Tribuna de Minas”, Gabriel Ferreira Borges. Ai në një kolumne kritikoi ashpër shitjen e talenteve brazilianë në moshë shumë të re.
Edhe
Arsenali interesohet për Viniciusin
Kayky dhe shoku i skuadrës Metinho, një tjetër synim i Cityt sipas Borgesit, “do të kenë fat të ndryshëm në lojën e ‘Ruletës Ruse’ të City Football Group. E ardhmja është një lojë fati mes Lommelit e Gironas.
Kayky, i cili u vëzhgua nga afër nga klubi para se të bënte debutimin e tij për Fluminensen në fillim të vitit 2021. Raportet në Brazil sugjerojnë se me të ishte nënshkruar para se të vendoste ndonjëherë këmbën në fushë në nivelin senior. Kayky të paktën pritet të mbahet nga City pasi të mbërrijë në Angli.
Për Metinhon, 18 vjeç, dhe me vetëm një paraqitje në ekipin e parë, një destinacion tjetër pret.
Troyes e Francës pritet të përfitojë nga talenti pasi të arrihet një marrëveshje përfundimtare midis Fluminenses dhe Cityt. Sapo të nënshkruhet marrëveshja, Metinho do të dërgohet direkt në huazim - ndoshta pa e parë kurrë stadiumin “Etihad Stadium”.
Ndërkohë, Fluminense do të duhet të fillojë nga e para pasi i zhvilloi këto dy talente për vite me radhë dhe, në rastin e Metinhos, edhe të sigurojë një shtëpi në mënyrë që ai të mund të lëvizte nga favella famëkeqe, e drejtuar nga banda Cinco Bocas, në të cilën familja e tij u largua nga Republika Demokratike e Kongos kur lojtari ishte foshnjë. Familja u largua për shkak të persekutimit fetar.
Miliona në tarifat e transferimit do të sigurojnë kompensim të bollshëm për klubin. Sigurisht që transferimet e tilla nuk janë asgjë e re. Real Madridi ka udhëhequr rrugën në vitet e fundit kur bëhet fjalë për rrëmbimin e talenteve të Brazilit, duke nënshkruar dyshen e Flamengos: Vinicius Junior e Reinier dhe Rodrygon e Santosit.
Vetë City ndërhyri në vitin 2017 për të blerë Gabriel Jesusin, atëherë vetëm 20 vjeç. Ekziston një ndryshim i vogël, por i rëndësishëm midis atyre marrëveshjeve dhe asaj që do të sjellë Kaykyn dhe Metinhon në Evropë. Të katër të përmendurit më lart kishin përvojë të mjaftueshme në ekipin e parë si në Serie A ashtu edhe në Copa Libertadores, me Jesusin që fitoi trofe me Palmeirasin dhe luajti dy sezone të plota para se të transferohej në Evropë.
Kayky ka vetëm disa paraqitje për seniorët, kryesisht në ligat shtetërore. Tentimi i tij individual kundër Novo Iguacus në prill mund të ketë kapur titujt kryesorë, por vlen të theksohet se kundërshtarët e Fluminenses nuk ishin as në piramidën e ligës braziliane dhe arritën ngritjen në kampionatin shtetëror të Rios vitin e kaluar.
Edhe futbollistët perspektivë të stabilizuar në ekipet e para, mund të dështojnë pas kalimit në Evropë. I tillë ishte rasti i Marlos Morenos, i cili shpërtheu në skenë me Atletico Nacionalin në Kolumbi dhe siguroi shpejt një transferim te City disa javë pas ditëlindjes e tij të 20-të pasi kishte ngritur trofeun e Copa Libertadores në vitin 2016. Morenos, megjithatë, nuk iu dha kurrë një shans për të shkëlqyer në “Etihad Stadium”. Tani ai është në huazimin e gjashtë në pesë vjetët e fundit, këtë herë te Lommeli në divizionin e dytë belg, ku karriera e sulmuesit duket se ka ngecur plotësisht.
Edhe
Santos transferohet tek Unitedi
“Sa bukur do të jetë të stërvitem nga Guardiola”, tha Moreno kur firmosi për Cityn.
Tani, me kontratën e tij që përfundon në verë, kjo ambicie duket se do të mbetet e paplotësuar.
Aq e madhe është pabarazia financiare midis elitës së Premier Leagues dhe klubeve më të mëdha të Brazilit, që marrëveshje të tilla vështirë se mund të dështojnë.
Më shumë se dhjetë skuadra nga tri nivelet kryesore të futbollit anglez janë aktualisht të përfshira në ndjekjen e talenteve të rinj në të gjithë Amerikën e Jugut.
“Klubet angleze kanë pasur departamente që vëzhgonin lojtarët kolumbianë, të cilët së pari lëvizin në Belgjikë ose Holandë”, tha Simon Edwards, i cili këshillon klubet dhe agjentët në tregun e Amerikës së Jugut. “Tani është shumë më e lehtë për shumicën e lojtarëve kolumbianë të lëvizin në League One sesa në Holandë për shkak të rregullave të lejes së punës. Unë mendoj se Championshipi është destinacioni më interesant për lojtarët që dalin jashtë Argjentinës dhe Brazilit”.
Një faktor tjetër që favorizon klubet angleze është se tregu në Brazil dhe rajon është tani një parajsë e blerësve. Pandemia e koronavirusit ka shkatërruar ekonomitë e skuadrave që po lejojnë shitjen e lojtarëve në mënyrë që t’i ulin borxhet e mëdha. Vetëm në këtë mënyrë ekipet nga Amerika e Jugut po i barazojnë bilancet.
Santos, një nga klubet më të suksesshme të kontinentit, u detyrua ta shesë lojtarin e talentuar të Venezuelës, Yeferson Soteldo, për një shumë të ulët prej pesë milionë eurosh te Toronto FC. Santosi do të shohë vetëm një milion dollarë nga kjo tarifë për 23-vjeçarin, pasi pjesa tjetër do të shkojë në Huachipato të Kilit në mënyrë që të paguajë borxhet ekzistuese. Situata në Fluminense është edhe më e rëndë. Skuadra nga Rio kishte gati 118 milionë euro borxhe, obligimi i treti më i lartë i të gjitha klubeve të Serie A në Brazil. Pavarësisht se kanë shitur më shumë se dhjetë lojtarë në Evropë në gjashtë vjetët e fundit, duke përfshirë Richarlisonin, Fluminense ende ka borxhe të mëdha dhe për këtë arsye duhet të vazhdojë me shitjen e lojtarëve për t’i ulur ato.
Kayky të paktën do të ketë vitin e ardhshëm për të fituar përvojë të mëtejshme në ekipin e parë pasi deri më tani ka qenë startues në dy ndeshjet e Copa Libertadores. Në ndërkohë, Fluminense tashmë po bën gati yllin e ardhshëm të mundshëm - krijuesin e artit, i cili së bashku me Kayky udhëhoqi klubin drejt titullit të kampionit U-17. Bëhet fjalë për mesfushorin Arthur, i cili në muajin mars u bë lojtari më i ri në histori të klubit që debutoi me ekipin e parë. Arthuri kishte vetëm 16 vjet e tetë ditë.
Edhe
Viniciusi i lumtur që po e ndihmon Brazilin në Botëror
Nëse zhvillimi i Arthurit vazhdon me këtë ritëm, atëherë ai shumë shpejt do të transferohet në Evropë pasi do ta tërheqë vëmendjen e klubeve të mëdha të këtij kontinenti.
Elita e futbollit anglez tradicionalisht ka qëndruar larg Amerikës së Jugut, në shumicën e rasteve duke zgjedhur të blejë pasi lojtarët të kenë bërë emër në Evropë, por kjo tashmë ka ndryshuar. Ndërkohë, klubet e varfra në Brazil dhe gjetkë, kanë nevojë për prodhimin e lojtarëve për të vazhduar të përfitojnë nga klubet e etura të Evropës që janë të gatshëm të paguajnë për talente të gatshme.