Menaxheri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka pranuar se është mahnitur me lehtësinë që Zinedine Zidane ka menaxhuar Real Madridin drejt finales së tretë me radhë në Ligën e Kampionëve.
Francezi mori drejtimin e Realit nga Rafael Benitezi në fillim të vitit 2016 dhe ka fituar dy herë rresht Ligën e Kampionëve.
Klopp, për krahasim, ende nuk ka fituar trofe gjatë qëndrimit në Anfield dhe beson se arritjet e Zidanet e bëjnë atë menaxher më të suksesshëm.
“Nëse njerëzit mendojnë se Zinedine Zidane nuk ka dituri në taktika... të njëjtën gjë e thonë edhe për mua. Dy trajnerë janë në finale dhe nuk kanë ide për taktika – çfarë do të thoshin për këtë ndeshje”, ka thënë Klopp.
“Zidane është njëri prej pesë lojtarëve më të mirë të të gjitha kohëve. Unë jam më gjatë te Liverpooli sesa ai te Real Madridi dhe po tenton ta fitojë Ligën e Kampionëve për herë të tretë. Kjo nuk ka ndodhur në karrierën e ndonjë menaxheri”, ka shtuar ai.
“Është brilant, siç ishte edhe si lojtar. Grupi i lojtarëve punon si orë zvicerane. E pash ekipin e tij duke luajtur dhe kanë futboll fantastik, që është i organizuar kur duhet të jetë dhe mund të shkaktojë shumë kaos”, ka thënë veç të tjerash trajneri gjerman.