UEFA e ka dënuar rëndë Crvena Zvezdën e Beogradit. Klubi beogradas i futbollit duhet ta luajë ndeshjen e ardhshme si vendës në Ligën e Kampionëve me të paktën 10 mijë vende të zbrazëta në stadium.
Për më tepër, Zvezda është gjobitur me 40 mijë euro. Këto dy dënime i janë dhënë për sjellje diskriminuese të tifozëve.
Ndërkohë me 22 mijë euro klubi serb është dënuar për bllokim të rrugëve ku lëvizin shikuesit në tribuna.
Sjelljet diskriminuese kanë ndodhur gjatë ndeshjes së Championsit me Young Boysin. UEFA në vendimin e së hënës nuk ka saktësuar se për cilat thirrje bëhet fjalë. Por me shumë mundësi bëhet fjalë për thirrjet “Kosova është Serbi” që janë dëgjuar pa nisur ndeshja e 4 tetorit. Ajo ndeshje kishte përfunduar 2:2 dhe i takonte Grupit G të Ligës së Kampionëve. Në stadium ishin 47 mijë shikues.
Klubi serb ndeshjen e ardhshme e luan më 25 tetor, në udhëtim ndaj RB Leipzigut. Ndërkohë e pret këtë skuadër gjermane më 7 nëntor. Por në stadium do të jenë më pak se 37 mijë shikues.
Thirrjet “anti-Kosovë” ishin dëgjuar rreth 45 minuta pa nisur ndeshja, kur në fushë kishin dalë lojtarët e Young Boysit, kampionit e Zvicrës. Lojtarët mysafirë ishin fishkëllyer, ndërsa kishte thirrje “UEFA, mafia” dhe “Kosova është Serbi”.
Edhe
UEFA gjobit rëndë Zvezdën, pati thirrje anti-Kosovë
UEFA-s shpesh i del punë me klubet serbe dhe jo për ndonjë veprim të mirë. Për sjelljet të palejuara të tifozëve, Konfederata Evropiane e Futbollit nuk ka edicion që nuk ndan dënime ndaj klubeve serbe.
Në javët e fundit janë shpeshtuar thirrjet anti-Kosovë në stadiumet në Serbi, por edhe në disa vende të tjera si Greqia, Sllovakia, Polonia e Çekia.
UEFA ka gjobitur të hënë edhe një klub tjetër serb, TSC Baçka Topola, për sjellje diskriminuese të tifozëve në ndeshjen e Ligës së Evropës ndaj Olympiacosit. Ky klub është gjobitur me 10 mijë euro dhe mbylljen e një sektori të stadiumit që përmban të paktën 1000 ulëse.