Sport

Kërkohet mendimi i lojtarëve për selektorin e ri të Kosovës

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, u ka dërguar lojtarëve një listë me emrat e disa trajnerëve potencialë për ta drejtuar Përfaqësuesen e Kosovës.

Nga lojtarët, Ademi ka kërkuar mendim rreth preferencave dhe profilit që mund t’u përshtatet. Në mesin e emrave në listë, siç mëson KOHA nga burimet e saj të afërta me FFK-në dhe lojtarët, janë gjermani Felix Magath dhe holandezi Marco van Basten. KOHA ka mësuar se favorit për ta marrë drejtimin e Kosovës është gjermani Magath.

I pari i FFK-së, Agim Ademi, nuk ka mohuar se në mesin e shumë kandidatëve janë edhe Magathi dhe Van Basteni.

Ai më herët pati thënë se rreth 50 trajnerë kanë aplikuar për postin e përzgjedhësit të Përfaqësueses së Kosovës në futboll. Posti i selektorit të Kosovës aktualisht është vakant.

Zvicerani Bernard Challandes u nda me FFK-në javë më parë, ndërsa slloveni Primozh Gliha e udhëhoqi Kosovën në dy ndeshjet e muajit nëntor. Gliha vlerësohet njëri prej rreth 50 trajnerëve që tashmë kanë pretendime për të drejtuar “Dardanët”.

“Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ua ka dërguar lojtarëve një listë me emrat e disa trajnerëve potencialë për ta marrë drejtimin e Kosovës. Në mesin e emrave në listë janë edhe Felix Magath, Marco van Basten dhe disa të tjerë. Nga lojtarët e përfaqësueses ka marrë mendim se cilin do ta preferonin prej emrave të përfolur nëpërmjet edhe një pyetësori për profilin e trajnerit që do të dëshironin ta kishin. Por, ende nuk ka përfunduar ky proces, megjithëse Magath është emri më i përfolur për ta drejtuar Kosovën nga viti tjetër. Kjo praktikë për të marrë mendim nga lojtarët është praktikuar edhe nga disa kryetarë të federatave të ndryshme”, ka thënë një burim i KOHËS i afërt me FFK-në.

KOHA ka konfirmuar edhe nga disa lojtarë se Ademi ka kërkuar mendim rreth selektorit të ri.

“Ka votuar për Van Bastenin”, thotë në kushte anonimiteti një familjar i një futbollisti të Kosovës.

Legjenda e futbollit holandez, Van Basten më herët ka drejtuar Holandën, Ajaxin, Heerenveenin dhe AZ Alkmaarin. Së fundi ishte ndihmëstrajner te Holanda, nga viti 2015 deri në vitin 2016.

Ndërkohë, Magath nuk ka punuar në asnjë klub që prej vitit 2017. Së fundi ishte te Shandong Luneng, që garon në Superligën e Kinës. Ka drejtuar edhe Fulhamin, Wolfsburgun, Schalken, Bayern Muenchenin, Stuttgartin, Eintracht Frankfurtin, Nuernbergun dhe Hamburgun. Ai kishte deklaruar se nuk do të punojë më si trajner.

Më herët është njoftuar se në fillim të vitit të ardhshëm do të bëhet një listë e ngushtë prej të gjithë kandidatëve, përpara se drejtuesit e FFK-së t’i fillojnë negociatat. Ndër emrat e tjerë të përfolur si kandidat janë edhe Alexander Frei, Martin Andermatt, Thorsten Fink e disa të tjerë.

“Do ta marrim parasysh faktorin ekonomik, profesional dhe rezultativ. Mirëpo gjithashtu edhe njohjen e Kosovës, pra mentalitetin tonë. Këto do t’i marrim parasysh para se të ulemi për ta firmosur kontratën”, ka thënë më herët për KOHËN kryetari i FFK-së, Agim Ademi.

Kosovën para sllovenit Gliha dhe zviceranit Bernard Challandes e kanë drejtuar edhe Albert Bunjaki, Edmond Rugova, Muharrem Sahiti, Bylbyl Sokoli dhe Ajet Shosholli.

Kosova përfundoi e fundit në Grupin B kualifikues për Botërorin e vitit të ardhshëm me katër pikë. Kosova edicionin e tretë të Ligës së Kombeve, përkatësisht fazën e grupeve të Ligës së Kombeve e fillon më 2 qershor dhe e përfundon më 27 shtator të vitit të ardhshëm. Është në Ligën C.

Kualifikimet e rregullta për Evropianin e vitit 2024, Kosova do t’i zhvillojë nga marsi i vitit 2022 deri në nëntor të vitit 2023.