Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

KEK-u pritet ta fitojë në tavolinë ndeshjen ndaj Onixit

Skuadra e Onixit e ka fituar ndeshjen përballë KEK-ut në fushë pas penalltive.

Koha e rregullt ka përfunduar 3:3, ndërsa në serinë e gjuajtjeve nga penalltia më të saktë ishin futbollistët e Onixit. Fituan ndaj KEK-ut, 5:4.

Por, skuadra nga Obiliqi pritet ta fitojë në tavolinë ndeshjen e 1/8 së finales të Kupës së Kosovës në futboll.

Kështu ka mësuar të dielën KOHA nga burime brenda Federatës së Futbollit të Kosovës.

"Portieri i parë është ndëshkuar me karton të kuq, ndërsa e ka inkuadruar portierin e dytë që nuk ka qenë fare në protokollin e ndeshjes. KEK-u ka parashtruar ankesë dhe pritet t'i aprovohet", i ka thënë KOHËS një zyrtar i FFK-së në kushte anonimiteti.

Vendimi do të merret në ditët në vijim, ndërsa KEK-u pritet ta vazhdojë në çerekfinale garën për Kupë.