Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Keane mbron Mourinhon, kritikon lojtarët e Unitedit

Nëse Mourinho kohët e fundit është sulmuar nga disa ish-lojtarë të mëdhenj të Manchester United, si Neville apo Scholes, portugezit i ka dalë në krah një nga protagonistët më të mëdhenj të “Djajve të Kuq”, kur Sir Alex Ferguson ishte trajner.

Bëhet fjalë për Roy Keane, i cili njihet për personalitetin e veçantë dhe problemet që ka pasur gjatë gjithë karrierës me trajnerët e tij.

“Flasim për futbollistë dhe trajnerë, jo të gjithë lojtarët bien dakord me trajnerin e atij nuk mund t’i pëlqejë çdo lojtar”, ka theksuar ai.

“Por, si futbollist, çfarëdolloj problemi të kesh pasur me trajnerin, kur hyn në fushë, luan për skuadrën. Nëse nuk ke dëshirë për të luajtur, as kur vesh fanellën e Manchester United, atëherë e vetmja gjë që më ngelet të bëj, është t’i uroj fat Mourinhos”.

Keane sqaroi gjithashtu se problemi nuk qëndron vetëm te një lojtar i caktuar, siç është Pogba, por për një brez të tërë lojtarësh, të cilët e kanë ndryshuar krejtësisht futbollin e sotëm.

“Nuk e kam vetëm për Pogban, është një diskutim i përgjithshëm. Janë lojtarë të cilët nevrikosen me trajnerin dhe mendojnë se nuk duhet të stërviten, sepse janë të mërzitur”.

“Futbollistët e sotëm janë qaramanë. Kur zbret në fushë, luan për krenarinë tënde, për familjen, për qytetin, për çdo gjë. Për t’u zënë ka kohë pas ndeshjes”, theksoi ai.

Artikuj të ngjashëm