Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën me kryetarin e FFK-së, Agim Ademin, ka konstatuar se me miratimin e Statutit të ri, janë plotësuar kriteret dhe kushtet për licencimin e FFK-së.
Statuti i ri i FFK-së u miratua më 27 janar në kuvendin e jashtëzakonshëm me 48 vota pro të delegatëve.
“KE analizoi dhe shqyrtoi ecurinë dhe zhvillimin e punimeve të Kuvendit të jashtëzakonshëm të FFK-së, duke konstatuar se pati një frymë konstruktive dhe debate frytdhënëse në trajtimin e Statutit të ri të FFK-së, i cili u miratua me shumicë votash dhe i cili i plotëson kriteret dhe kushtet sipas specifikave të Kosovës. KE falënderon secilin delegat për pjesëmarrje, angazhim konstruktiv në të mirë të futbollit të Kosovës. KE shqyrtoi edhe licencimin e FFK-së dhe konstatoi se me miratimin e Statutit të ri janë plotësuar të gjitha kriteret dhe kushtet për licencimin e FFK-së”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e FFK-së të mërkurën.
Në këtë mbledhje u miratua edhe orari i garave të stinorit pranveror të futbollit kosovar.
Futbolli i Kosovës kthehet në fundjavë, më 4 shkurt, me ndeshjet e 1/8 së finales së Kupës së Kosovës.
Ndërkohë, ky edicion i futbollit kosovar përfundon më 28 maj.