Një anije e tretë lundrimi u angazhua nga organizatorët e Kupës së Botës në Katar të hënën, për të funksionuar si hotel i tifozëve të futbollit të cilët do të qëndrojnë në Portin e Dohas. Ky veprim u bë nga organizatorët vetëm për t’i shtuar dhomat shumë të nevojshme për turneun e madh të futbollit.
Kompania “MSC Cruises” me bazë në Gjenevë njoftoi për marrëveshjen vetëm gjashtë javë përpara fillimit të Kupës së Botës, më 20 nëntor. Anija “Opera MSC” me 1075 kabina do të jetë në dispozicion nga 19 nëntori deri më 19 dhjetor. Çmimet për “Opera” u paraqitën të hënën në faqen e internetit të kompanisë “MSC”. Ato janë prej 470 dollarësh për person për një natë gjatë fazës së grupeve, me një qëndrim minimal për dy net.
Katari nuk ka kapacitetin e hoteleve për të gjitha ekipet, punëtorët, vullnetarët dhe tifozët në Kupën e Botës dhe po krijon kampe dhe vende me kabina, po angazhon anije lundrimi dhe po inkurajon tifozët të qëndrojnë në vendet fqinje dhe të fluturojnë për ndeshjet e turneut. Kompania “MSC Cruises” më parë nënshkroi një marrëveshje me Qeverinë e Katarit në vitin 2019 për të siguruar dy anije me rreth 4000 kabina, si hotele lundruese për të ndihmuar në strehimin e 1.2 milionë vizitorëve ndërkombëtarë që priten përgjatë Botërorit.
Anijet e kompanisë së angazhuar për herë të parë do ta fillojë punën për Kupën e Botës, ndërsa janë ndërtuar në Francë. Çmimi në anijet e lundrimit bie gjatë turneut, kur gjysma e ekipeve do të eliminohet. Gjatë 1/8 së finales dhe çerekfinaleve, dhomat më të lira në “MSC Opera” kushtojnë 320 dollarë, pastaj në 220 dollarë gjatë javës së fundit të Botërorit. Çmimet bazë përfshijnë mëngjesin në bord me një mundësi për të paguar një shtesë ditore prej 90 dollarësh për të gjitha vaktet. Alkooli pritet të jetë i disponueshëm në bord me MSC që ofron verë dhe birrë.
Katari është vend me shumicë myslimane që zakonisht kufizon konsumimin e alkoolit në hotelet luksoze, por ka lehtësuar rregullat për partnerët tregtarë të FIFA-s, duke përfshirë sponsorin e Kupës së Botës “AB InBev”, prodhuesi i birrës “Budweiser”.
MSC Opera bëri udhëtimin e parë në vitin 2004 dhe pati një sezon lundrimi plot ngjarje tre vjet më parë. Në mars të vitit 2019, pasagjerët e dyshuar për kontrabandën e 18 kilogramëve kokainë të fshehur në pajisjet për lojë me birila dhe pako me ushqime, u arrestuan kur anija u ankorua në ishullin portugez të Madeiras, pasi lundronte nga Karaibet. Tre muaj më vonë “Opera” u përplas me një varkë turistike në portin e saj në Venecia, Itali.