Ku do të ndalet Kastriot Imeri? Është kjo pyetja që ka bërë sajti zyrtar i klubit zviceran Servette, për futbollistin kosovar. Pyetje e bërë për futbollistin e momentit.
Imeri po shkëlqen në Superligën e Zvicrës. Të shtunën realizoi dy gola në fitoren 2:1 të Servettes në udhëtim ndaj kampionit në fuqi të Zvicrës, Young Boys. Golin e parë e shënoi nga pika e bardhë, ndërsa të dytin nga një goditje dënimi. Ishte gol mjeshtëror nga një kënd i vështirë.
Me dy golat ndaj kampionit, ka vazhduar forma impresive e 21-vjeçarit, që po luan sulmues krahu. Ai ka shënuar rregullisht në pesë ndeshjet e fundit kampionale. Seria filloi ndaj Luganos, më 31 tetor. Shënoi më pas ndaj Zuerichut, më 7 nëntor. Ndërkohë erdhi ftesa e papritur nga Zvicra për ndeshjet vendimtare për kualifikim në Botërorin 2022. Debutoi në barazimin e madh ndaj Italisë, më 12 nëntor. Ndaj Bullgarisë ishte në stol.
Grumbullimi dhe debutimi me Zvicrën kanë motivuar Imerin. Pas kthimit te Servette vazhdoi me formë të lartë. Tani golat e tij u shënuan në fitore të skuadrës. Realizoi më 21 nëntor në fitoren 3:2 ndaj Grasshopperit. Më pas realizoi gol në fitoren 3:0 ndaj Lausannes, më 28 nëntor. Dhe të shtunën shënoi dy golat në fitoren 2:1 ndaj kampionit aktual.
“Princi i qytetit” i është referuar sajti zyrtar i Servettes, futbollistit kosovar.
“Ku do të ndalet Kastriot Imeri? ‘Princi i qytetit’ ka shkëlqyer me talentin e tij në Bern”, ka shkruar Servette.
Imeri ka kontratë deri në verën e vitit 2023 me Servetten. Por nëse vazhdon me formën aktuale, vështirë që ai do të mbetet në ekipin zviceran deri atëherë. Ndonëse 21-vjeçar, Imeri po e luan edicionin e gjashtë me të rriturit e Servettes. Kishte nisur me një ndeshje në edicionin 2016/17 të kategorisë së dytë helvetike. Në edicionin vijues, 2017/18 i kishte luajtur plot 26 ndeshje në kategorinë e dytë. Shifrën e ndeshjeve e dërgoi në 29 në edicionin 2018/19, sërish në kategorinë e dytë të Zvicër. Në Superligë filloi me 24 ndeshje e një gol (2019/2020). Edicionin e kaluar e kishte një gol në 29 paraqitje, ndërsa tani ka arritur në shifrën e tetë golave në 13 paraqitje kampionale.
Te Servette, Imeri është që nga viti 2013. Është produkt i sistemit zviceran të futbollit, si shumë shqiptarë të tjerë. Ka luajtur për U-16, U-17, U-18, U-19, U-20 e U-21 të Zvicrës dhe tani është pjesë e përfaqësueses A.
Imeri është zgjedhur lojtari më i mirë i Servettes për muajin nëntor. Me formën aktuale do të jetë pa dilemë më i miri i gjithë kampionatit. Tashmë është prej më të mirëve në kampionatin helvetik, të mbushur me futbollistë shqiptarë.
“Së pari, Kastriot Imeri qëndroi i qetë afër pikës së bardhë. Më pas përfitoi nga vendosja e keqe e lojtarëve të YB në mur, për të shënuar për 2:1. Djaloshi po ashtu punon skajshmërisht shumë dhe arsyeton vendimin e Murat Yakinit që e mori në përfaqësuesen e Zvicrës”, ka shkruar “Blick” për Imerin, të cilin e ka shpallur më të mirin e ndeshjes.
Edhe mediat e tjera zvicerane kanë shkruar për shkëlqimin e Imerit dhe faktin se ai bëri dallimin në ndeshje.
“Gjeniale, kjo është fjala e duhur për paraqitjen e Imerit”, ka shkruar “Le Matin”.
“Ai kishte ndeshje shumë, shumë të madhe”, ka thënë trajneri i Servettes, Alain Geiger. “Paraqitja e tij na ka mundësuar të imponojmë lojën tonë këtu. Ai ka bërë dallimin. Ishte madhështor”.
? « ????????????????????? » ?? ?'?????????? ????-????? de Kastriot Imeri qui offre la victoire aux Grenat sur le terrain de Young Boys ! ? ? #NotreVilleNosTalents
Posted by Servette FC on Sunday, December 5, 2021