Sport

Karaqi tregon për emocionet e përballjes së padëshiruar mes vëllezërve

Alvin Karaqi, Orges Arifi e Blodin Pakashtica ishin vendimtarë te Përfaqësuesja e Shqipërisë në karate. Karaqi e Arifi shënuan fitore, ndërsa Pakashtica barazoi. Ishin rezultatet e vetme pozitive të Shqipërisë.

Shqipëria e eliminoi Kosovën. “Vëllezërit tanë”, thotë Karaqi, që është shfaqur shumë i emocionuar gjatë luftës, por edhe pas duelit. Në fakt, karateistët e Kosovës kishin po ashtu dy fitore dhe rezultati ishte 2:2. Por për shkak të më shumë pikëve të fituara nga garuesit e Shqipërisë, fitorja i takoi asaj.

Kosova e Shqipëria janë përballur të enjten pasdite në Evropianin e karatesë për seniorë, që po mbahet në Poreç të Kroacisë. Të premten në raundin e dytë të garës ekipore, Shqipëria përballet me Rusinë.

Kishte shumë emocione, por edhe ndjenja të përziera te karateistët. Respekti ndaj njëri-tjetrit ishte maksimal. Karaqi, Arifi e Pakashtica janë nga Kosova. Dy të parët kishin garuar për Shqipërinë deri në pranimin e Kosovës në asociacionet ndërkombëtare të karatesë. Më pas u kthyen te Kosova. Por pas ndryshimeve në federatë, kjo treshe cilësore, e pakënaqur me trajtimin nga drejtuesit e federatës, vendosi të kalonte te Shqipëria.

Dhe të enjten drejtuesit e Federatës së Karatesë së Kosovës kanë parë nga afër cilësinë e tre garuesve që kaluan nga Kosova te Shqipëria.

Në arenë nuk ka pasur shenja të ndonjë “konflikti” mes karateistëve. Se raportet janë shumë të mira e ka konfirmuar edhe Alvin Karaqi, njëri ndër karateistët më cilësorë shqiptarë. Prishtinasi shquhet për korrektësinë dhe maturinë që ka.

“Prejse kam kaluar te Shqipëria është përballja e parë me Kosovën dhe sinqerisht shpresoj të jetë edhe e fundit”, ka thënë Karaqi për KOHËN, të enjten mbrëma.

Të mërkurën ishte ditur se Kosova e Shqipëria takohen në ekipore.

“Nuk i erdhi mirë asnjërës palë për këtë. Pos anës sportive, që si ne si ata gëzojmë kualitet të lartë të karatesë, barrë ishte edhe shoqëria vëllazërore mes ne garuesve”, ka shtuar Karaqi.

Ai ka thënë se i “dhemb zemra” që është dashur të përballet me Kosovën. Tregon se kishte shumë emocione dhe se garuesit shqiptarë kanë qarë pas duelit mes tyre.

“Emocionet para luftës kanë qenë të përziera. Kishte frikë për humbje, pikëllim që kundërshtare do të jetë Kosova, si dhe pak ndikoi edhe situata që kishim së bashku me Orgesin dhe Blodinin. Gjatë luftës të them të drejtën ishte e rëndësishme të mos e lëndonim njëri-tjetrin, pasi është sport kontakti dhe gëzojmë respekt dhe dashuri për vëllezërit tanë. Ndërsa pas luftës ishte një përzierje e gëzimit për fitore dhe dhimbjes për luftë me shokë”, tregon Karaqi.

Shumica e reprezentuesve të Kosovës e Shqipërisë për kohë të gjatë ishin pjesë e klubit Ippon nga Prishtina. Por mosmarrëveshjet e drejtuesve kishin ndikim edhe te karateistët. Ekipi u shpërnda dhe tashmë kishte edhe përballje mes tyre. Madje në skenën e Evropianit.

“Raportet mes garuesve sot e gjithmonë do të jenë të mira, vëllazërore. Jam rritur me ta dhe shpresoj që një ditë të plakem me ta, vëllazërisht”.

Karaqi e vlerëson paraqitjen e karateistëve shqiptarë në Evropian. Të paktën dy janë një luftë larg medaljes së bronztë.

“Paraqitja e shqiptarëve ishte e kënaqshme. Medalja po mungon në individuale, që po na lë shije të keqe. Me gjithë fitoret që kishim, vlerësimi i gjyqtarëve bëri që të mos kalojmë. Personalisht e meritova së paku gjysmëfinalen. Bëra pesë luftëra, mposhta garuesit e Serbisë, Qipros dhe Armenisë. Në finale të arenës sime ishte përkrahja e pastër e gjyqtarëve për garuesin nga Azerbajxhani. Çka do të bëja nuk ishte e mjaftueshme. Me atë barrë emocionale hyra në luftë për vend të tretë dhe u ndëshkova në sekondat e fundit. Pa modesti e them që e kam merituar finalen e Evropianit”, ka theksuar Alvin Karaqi.