Kapiteni i Anglisë, Harry Kane, ka vlerësuar paraqitjen që solli fitoren 5:0 ndaj Shqipërisë. Kane udhëhoqi Anglinë të premten mbrëma, duke shënuar tre gola.
“Natë e madhe për ekipin. Një rezultat i rëndësishëm prë ne dhe po ashtu mënyra se si e arritëm atë. Të jemi në epërsi 5:0 pas pjesës së parë tregon shumë për karakterin e skuadrës. Herën e kaluar kur ishim në Wembley, kishim paraqitje paksa dëshpëruese dhe kemi dashur të kthehemi në rrugën e duhur. E kemi bërë këtë. Natë e madhe në përgjithësi dhe mund të shohim para drejt ndeshjes që e kemi të hënën”, ka thënë Kane për BBC.
Anglia është pranë kualifikimit në Botëror.
“Kemi dashur të bëjmë gjërat e vështira për kundërshtarin. T’i tregojmë vendit dhe botës se çka jemi në gjendje të bëjmë. Dhe mendoj se e kemi bërë këtë. Do të vazhdojmë njëjtë, do të vazhdojmë të punojmë shumë si ekip dhe shpresoj të përmirësohemi. Të hënën duhet të përfundojmë punën. Kur unë shënoj, dukem në formë. Kur nuk shënoj nuk po dukem në formë. Është pjesë e një sulmuesi. Gjëja më e rëndësishme është që po ecim përpara si ekip”, ka shtuar Kane.
Anglia udhëheq në grup me 23 pikë, tri më shumë se Polonia. Të hënën Anglia luan në udhëtim me San Marinon, ndërsa Polonia e pret Hungarinë.