Kapiteni i Anglisë, Harry Kane, ka thënë se ndaj Shqipërisë ishte një nga ndeshjet më të vështira në grup. Kane shënoi dy golat e fitores ndaj Shqipërisë.
“Ishte një ndeshje vërtet e vështirë, një nga më të vështirat që patëm në grup. Na u desh të ishim të duruar dhe t’i bënim presing, gjë që e bëmë dhe përfunduam me një fitore 2-0 dhe një tjetër rrjetë të paprekur. Në pjesën e parë bëmë goditje nga jashtë portës, pastaj kur hyri Saka, e dinim sa i mirë është ai me shtyllën e parë. Kështu që shkuam në shtyllën e parë, patëm pak fat me goditjen standarde, por për fat të mirë isha aty për ta devijuar. Nëse do të shkosh larg në çdo turne, të nevojitet një skuadër e tërë, të nevojiten lojtarë që nuk janë vetëm titullarë, që vijnë nga stoli dhe bëjnë diferencën. Kështu është futbolli. Nuk janë vetëm 11 që luajnë, djemtë hyjnë dhe bëjnë diferencën”, ka thënë sulmuesi i Bayernit.