Shqipëria ka mbetur “duarthatë” nga përballja me Anglinë, ndonëse u mbajt deri në minutën e 74-t.
Të dielën mbrëma në “Air Albania” në Tiranë, kuqezinjtë pësuan 2:0 nga Anglia. Të dy golat për mysafirët i shënoi ylli Harry Kane.
Kapiteni anglez shënoi për 1:0 në minutën e 74-t. Ishte i vëmendshëm në afërsi të portës, pas topit të devijuar nga një goditje nga këndi. Në minutën e 82-të Kane shënoi me goditje nga zona, pas asistimit të Marcus Rashfordit.
Shqipëria megjithatë nuk ishte inferiore në fushë. Krijoi raste të mira si në pjesën e parë ashtu edhe në të dytën. Por pa konkretizuar.
Elseid Hysaj, Arbër Hoxha, Nedim Bajrami e Berat Gjimshit kishin raste të mira për kuqezinjtë. Por Anglia mbeti e pamposhtur.
Anglia më herët e kishte siguruar vendin e parë në Grupin K dhe kualifikimin në Botëror.
Fitorja e së dielës ishte e teta nga po aq ndeshje për “Tre Luanët”. Të përzgjedhurit e Thomas Tuchelit i kanë shënuar plot 22 gola, ndërsa nuk e kanë pësuar asnjë. Pra kanë pasur kampanjë gati të përkryer kualifikuese.
Shqipëria e përfundon fazën e rregullt të kualifikimeve në vendin e dytë në grup me 14 pikë. Për herë të parë do të paraqitet në plejof për kualifikim në Botëror. Shorti i plejofit do të tërhiqet të enjten, ndërsa ndeshjet e plejofit zhvillohen në mars të vitit të ardhshëm.
Shqipëria e ka fituar betejën me Serbinë për vendin e dytë në grupin të cilin prej fillimit është pritur se do të fitohet nga Anglia.
Serbia përfundoi me 13 pikë. Letonia përfundon kualifikimet në vendin e katërt me pesë pikë, ndërsa Andorra renditet e fundit me vetëm një pikë.
Shqipëria e siguroi plejofin tri ditë më parë me fitoren në Andorrë. Ndërkohë fitorja vendimtare ishte ajo ndaj Serbisë në Leskovc, muajin e kaluar.
Sylvinho: Bëmë lojë të mirë ndaj Anglisë
Përzgjedhësi i Shqipërisë në futboll, Sylvinho, është krenar me paraqitjen e lojtarëve në ndeshjen kundër Anglisë. Ai ka thënë se Shqipëria bëri lojë të mirë ndaj Anglisë, pretendueses për ta ftuar Botërorin.
“Jam shumë krenar për të gjithë lojtarët. Bëmë një lojë të mirë ndaj një kundërshtari që synon të arrijë të paktën gjysmëfinalet e një Botërori. Skuadra ka ndryshuar, është rritur, është bërë një punë e madhe nga stafi, ekipi, nga të gjithë. Anglia nuk të lejon të reagosh. Pas pësimit të një goli mund të pësosh më shumë të tjerë, është aftësia e tyre dhe e kanë pësuar edhe skuadra të tjera”, ka thënë Sylvinho pas disfatës 2:0 nga Anglia të enjten në Tiranë.
Ai nuk ka komentuar për kundërshtarët e mundshëm të Shqipërisë në plejofin për Kupën e Botës 2026.
Ndeshjet e plejofit luhen në mars të vitit të ardhshëm. “Nuk mendojmë dot, pa njohur më parë kundërshtarin.
Deri atëherë shpresojmë t’i kemi të gjithë lojtarët në gjendje dhe në formë”, është shprehur Sylvinho.
Asllani: Kemi bërë ndeshje shumë të mirë
Kombëtarja e Shqipërisë është mposhtur 2:0 nga Anglia të dielën në “Air Albania” në ndeshjen e fundit kualifikuese të Botërorit 2026.
Mesfushori Kristjan Asllani beson se edhe pse Anglia fitoi, skuadra e Shqipërisë ka bërë ndeshje shumë të mirë.
“Ishte ndeshje e vështirë. Besoj se jemi mbrojtur mirë. Skuadra ka bërë një ndeshje shumë të mirë. Kemi lënë shpirtin në fushë dhe jemi të lumtur për këtë. Anglia është skuadër që dëshiron ta fitojë Botërorin, jam i lumtur për gjithë ekipin. Anglia bëri presion të madh”, u shpreh Asllani pas ndeshjes.
Shqipëria e përfundoi fazën e rregullt të kualifikimeve në vendin e dytë në grup me 14 pikë. Për herë të parë do të paraqitet në plejof për kualifikim në Botëror.
Ramadani: Anglia hasi në vështirësi
Mesfushori i Shqipërisë, Ylber Ramadani, ka thënë se në disa momente Anglia ka hasur në vështirësi në mesfushë.
“Unë them gjithmonë se nuk ka rëndësi se kush luan. Me Asllanin unë njihem qëkur kemi luajtur në Evropian. Ata po hasnin në vështirësi. Në mesfushë po i dublonim shumë mirë. E kontrolluam dhe menaxhuam shumë mirë. Besoj 13 kilometra kam vrapuar sot”, ka thënë Ramadani.
Kane: Një nga ndeshjet më të vështirat
Kapiteni i Anglisë, Harry Kane, ka thënë se ndaj Shqipërisë ishte një nga ndeshjet më të vështira në grup. Kane shënoi dy golat e fitores ndaj Shqipërisë.
“Ishte një ndeshje vërtet e vështirë, një nga më të vështirat që patëm në grup. Na u desh të ishim të duruar dhe t’i bënim presing, gjë që e bëmë dhe përfunduam me një fitore 2-0 dhe një tjetër rrjetë të paprekur. Në pjesën e parë bëmë goditje nga jashtë portës, pastaj kur hyri Saka, e dinim sa i mirë është ai me shtyllën e parë. Kështu që shkuam në shtyllën e parë, patëm pak fat me goditjen standarde, por për fat të mirë isha aty për ta devijuar. Nëse do të shkosh larg në çdo turne, të nevojitet një skuadër e tërë, të nevojiten lojtarë që nuk janë vetëm titullarë, që vijnë nga stoli dhe bëjnë diferencën. Kështu është futbolli. Nuk janë vetëm 11 që luajnë, djemtë hyjnë dhe bëjnë diferencën”, ka thënë sulmuesi i Bayernit.
Hoxha: Nuk e merituam humbjen
Arbër Hoxha pati paraqitje të mirë në ndeshjen ndaj Anglisë. Por, nuk la gjurmë me gol apo asistim. Ai ka vlerësuar se paraqitja e Shqipërisë ishte e mirë dhe nuk e meritoi humbjen 2:0 nga Anglia të dielën në “Air Albania” në Tiranë.
“Besoj që në bazë të performancës nuk e merituam të humbnim. Të gjithë në skuadër kanë bërë ndeshje të mirë në aspektin taktik. Kishim raste. Unë kisha dy raste por nuk shënova. Ata realizuan më pas. Kane nuk ishte në lojë për 70 minuta, por më pas u shfaq dhe realizoi. Është lojtar i madh. Kam menduar ta bëj lojën një kundër një, që është loja ime e fortë. Por në fund nuk arritëm ta shmangim humbjen. Shpresoj që unë të vazhdoj me paraqitje të mira dhe me këtë ritëm dhe uroj ta ndihmoj Kombëtaren edhe më shumë”, është shprehur Hoxha pas ndeshjes.
Tuchel për Shqipërinë: Shihemi në Botëror
Përzgjedhësi i Anglisë në futboll, gjermani Thomas Tuchel, e ka përgëzuar Shqipërinë për të dyja paraqitjet.
Ai pas ndeshjes dha mesazh të fuqishëm për cilësinë që ka Shqipëria, dhe beson se e ka rastin për të avancuar në Botërorin 2026 nëpërmjet plejofit në muajin mars.
Anglia i fitoi të dyja përballjet me Shqipërinë, 2:0.
“Nuk ishte e lehtë, nuk kemi pritur të jetë lehtë. E dinim se do të ishte e vështirë pasi luajtëm në një stadium të mbushur plot, me tifozë me plot emocione. Ne kemi luajtur lojë të mirë, kemi luajtur lojë të shkëlqyer. Shënuam dhe ajo ishte e rëndësishme. Më pas u bë e lehtë. Jam krenar për suksesin në gjithë kampanjën. Të gjithë kanë punuar fort dhe jam shumë i kënaqur me arritjet. Të dyja ndeshjet me Shqipërinë kanë qenë të vështira. Shqipëria dhe Serbia ishin kundërshtarët kryesorë të grupit. Por, lojtarëve u takon merita. Skuadra ka përparuar shumë, por ka mundësi për të bërë edhe më shumë. E përgëzoj Shqipërinë dhe shihemi në Botëror. Mundësia ekziston, bashkë me cilësinë që e ka në ekip”, ka theksuar Tuchel pas ndeshjes.
Lëndohet Broja, largohet nga fusha me barelë
Armando Broja është detyruar të largohet nga fusha me barelë në minutën e 92-të për shkak të një lëndimi. Ai në lojë hyri nga minuta e 75-të.
Shqipëria është duke u mposhtur 2:0 nga Anglia.
Kane realizon tjetër gol
Harry Kane e ka shënuar golin e tetë në tetë ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2026.
Kane në portën e Thomas Strakoshës realizoi për 2:0 me kokë, në minutën e 82-të.
Ai tani ka 78 gola me “Tre Luanët” në 112 paraqitje.
Goli:
Kane e ndëshkon Shqipërinë
Sulmuesi Harry Kane e ka ndëshkuar Shqipërinë në minutën e 74-t.
Kapiteni i anglezëve e shënoi golin e shtatë në tetë ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës 2026.
Anglia është në prag të përfundimit të përkyrer të ciklit kualifikues të Botërorit.
Anglia ka shtatë fitore nga shtatë ndeshjet e para, ndërsa po shkon drejt fitores së tetë.
“Tre Luanët” kanë realizuar 21 gola dhe nuk e kanë pranuar asnjë deri tani.
Goli:
Rast tjetër për “kuqezinjtë”
Edhe një rast tjetër për shënim ka pasur Shqipëria ndaj Anglisë. Në minutën e 67-të tentoi Nedim Bajrami.
Pas harkimit të Arbër Hoxhës nga krahu i majtë, topi erdhi te Bajrami, i cili e ndali fillimisht topin, por gjuajti mbi portë.
Rast i mirë për Shqipërinë, ndërhyn portieri Henderson
Arbër Hoxha ka rrezikuar portën e Anglisë në minutën e 51-të.
Pas një pasimi të bukur nga Nedim Bajrami, Hoxha kishte mundësinë që të realizonte gol por goditjen e tij e ndali portieri i Anglisë, Dean Henderson.
Rezultati aktual është 0:0.
Baras në “Air Albania” pas pjesës së parë
Pjesa e parë e ballafaqimit Shqipëria – Anglia në “Air Albania” në Tiranë është mbyllur baras.
Shqipëria rrezikoi me Elseid Hysajn në minutën e 18-të, me gjuajtje të fuqishme nga distanca.
Hysaj më pas pësoi lëndim dhe e la fushën në minutën e 25-të. Mbrojtësi i Lazios u zëvendësua nga Ivan Balliu.
Edhe Anglia pati mundësi të mirë shënimi me sulmuesin Jarrod Bowen. Tentimin e tij në minutën e 36-të e priti bukur portieri Thomas Strakosha.
Anglia e ka siguruar avancimin direkt në Botëror, derisa Shqipëria do të luajë në plejof, në marsin e vitit të ardhshëm.
Strakosha pret goditjen e fuqishme të Bowenit
Portieri Thomas Strakosha ka qenë vendimtar me pritje në minutën e 36-të.
Ai ishte i saktë në ndërhyrje pas goditjes së fuqishme të sulmuesit të West Ham Unitedit, Jarrod Bowen.
Bowen gjuajti fuqishëm nga zona, por Strakosha nuk u mposht. Ishte rasti më i mirë për “Tre Luanët”.
25 minuta lojë, Shqipëria rrezikon Anglinë
Pas 25 minutave lojë në “Air Albania” në Tiranë, ndeshja mes Shqipërisë dhe Anglisë ende nuk ka dhuruar gola. Shqipëria rastin më të mirë e pati me Elseid Hysajn në minutën e 18-të.
Mbrojtësi i Lazios, Hysaj, rrezikoi me gjuajtje nga distanca, por topi shkoi pak mbi transversale. Pak minuta pasi gjuajti fuqishëm drejt portës, Hysaj e ka lënë fushën shkaku i lëndimit.
Ai në minutën e 25-të është zëvendësuar nga Ivan Balliu. Anglia është më e mirë në qarkullim të topit, por ende nuk e ka rrezikuar seriozisht portën e portierit Thomas Strakosha.
Kane udhëheq sulmin e Anglisë
Përfaqësuesja e Anglisë do të paraqitet me shtatë ndryshime në ndeshjen ndaj Shqipërisë. Sulmit të Anglisë do t’i prij kapiteni Harry Kane. Në formacionin startues janë edhe Jude Bellignham dhe Declan Rice.
Anglia të enjten mposhti Serbinë 2:0 dhe e la pa gjasa për kualifikim në Kupën e Botës 2026.
Anglia ka siguruar Botërorin si e para, kurse Shqipëria do të paraqitet në pljeofin për kualifikim.
Ndeshjet e plejofit luhen në mars të vitit të ardhshëm.
Ndeshja Shqipëri – Angli luhet sonte nga ora 18:00 në Tiranë.
Shqipëria me gjashtë ndryshime ndaj Anglisë
Përzgjedhësi i Shqipërisë në futboll, Sylvinho, e ka publikuar formacionin për ndeshjen kundër Anglisë.
Sylvinho për ndeshjen ndaj anglezëve ka bërë disa ndryshime. Në përbërje të parë ka angazhuar Ylber Ramadanin, Ardian Ismajlin, Qazim Laçin, Naser Alijin, Nedim Bajramin e Myrto Uzunin.
Ndeshja Shqipëri – Angli luhet sonte nga ora 18:00 në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Është ndeshja e fundit kualifikuese për Kupën e Botës 2026 në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Anglia ka siguruar kualifikimin direkt në Botërorin e vitit të ardhshëm, ndërsa Shqipëria si e dyta e Grupit K, në mars luan në plejof për kualifikim në turneun e madh të futbollit me 48 shtete pjesëmarrëse.
Shqipëria la pas vetes Serbinë, Letoninë dhe Andorrën.
