Kapiteni Harry Kane është shprehur i lumtur që ka shënuar golin e 50-të për Anglinë.
Ai realizoi nga penalltia në barazimin 1:1 me Gjermaninë.
“Më pëlqen të shënoj gola. Gjithnjë më ka pëlqyer, sidomos për vendin tim. Sa herë që mund ta ndihmoj ekipin, jam i lumtur ta bëj këtë”, ka thënë Kane për “Channel4”. “Është ndjenjë shumë e mirë që kam shënuar. Kam pasur disa shanse të mira më herët. E para shkoi mbi shtyllë, ndërsa Manuel Neuer bëri pritje të mirë në të dytën. Ne kemi vazhduar të shkojmë përpara dhe kemi luajtur futbollin më të mirë në minutat e fundit”, ka vazhduar Kane.
Ai ka vlerësuar mentalitetin e skuadrës.
“Është me shumë rëndësi të shfaqim mentalitet. Ishim 1:0 prapa dhe kemi treguar karakter duke u kthyer në lojë dhe duke barazuar. Kemi luajtur ndaj një Gjermanie shumë të mirë. Kemi ende ndeshje të rëndësishme, por Botërori do të jetë këtu pa e kuptuar”, ka theksuar Kane.