Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kampionia olimpike kthehet pas 15 muajve mungesë

Nora Gjakova ka marrë pjesë dhe ka fituar gara shumë më të rëndësishme se Grand Slami i Abu Dabit. Por gara e kësaj jave në Emiratet e Bashkuara Arabe ka rëndësi të veçantë për xhudisten kosovare.

Kampionia olimpike do të kthehet në gara pas gati 15 muajve mungesë. Nora ka garuar së fundi në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Në “Nippon Budokan” kishte shkëlqyer më 26 korrik të vitit të kaluar. Në ditën më të madhe në karrierën e deritashme dhe në njërën prej ditëve më të lavdishme të sportit kosovar në përgjithësi, Nora kishte zënë vend në shkallën më të lartë të podiumit. Kishte fituar medaljen më të vlefshme të mundshme në sport – të artën olimpike. Në finale të kategorisë deri 57 kilogramë e kishte mposhtur francezen Sarah-Leonie Cysique.

Pasi preku kulmin në Tokio, Nora kishte vendosur, në koordinim me trajnerin Driton Kuka, që të pushonte për një kohë nga garat. Është praktikë që pas suksesit olimpik të bëhet një pushim më i gjatë. Ndërkohë 30-vjeçares iu paraqit një lëndim në krah dhe u detyrua t’i nënshtrohej një operimi.

Fazën e rikuperimit e ka kaluar me sukses dhe tani po rikthehet në gara.

Grand Slami në Abu Dabi mbahet prej 21 deri më 23 tetor. Do të garojnë 440 xhudistë nga 66 shtete të ndryshme. Nora vazhdon garimin në kategorinë deri 57 kilogramë. Pos saj në Grand Slamin e kësaj jave do të paraqiten edhe Laura Fazliu në kategorinë deri 63 kilogramë dhe Loriana Kuka në kategorinë deri 78 kilogramë.

Edhe Kthimi i suksesshëm e motivon Norën për suksese kulmore rrugës për në Paris Sport Kthimi i suksesshëm e motivon Norën për suksese kulmore rrugës për në Paris

“Nora është në gjendje të mirë fizike. E ka kaluar me sukses lëndimin dhe ka pasur fazë rikuperimi më të gjatë. Nuk kemi dashur të ngutemi. Forma e saj është e mirë, ndërsa mbetet të shihet cili do të jetë reagimi në tatami. 15 muaj megjithatë është mungesë shumë e gjatë. Presim natyrisht paraqitje të mirë, por e rëndësishme është që po kthehet me kohë për ciklin e ardhshëm olimpik. Medalja do të ishte sukses shumë i madh, marrë për bazë se nuk ka garuar që nga korriku i vitit të kaluar”, ka thënë për KOHËN trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.

Për shkak të mungesës, Nora ka rënë në pozitën e 11-të në ranglistën botërore, në kategorinë e saj. Në Abu Dabi është bartësja e katërt. Më të ranguara se ajo janë Eteri Liparteliani e Gjeorgjisë, Telma Monteiro e Portugalisë dhe Priscilla Gneto e Francës.

Si kampione olimpike që është, të gjitha xhudistet e kategorisë do ta kenë synimin që ta mposhtin Norën. Kjo natyrisht nuk do të jetë e lehtë për asnjërën prej tyre.

Nora ka munguar në gara të rëndësishme këtë vit për shkak të lëndimit, ku potencialisht do të fitonte medalje. Ka munguar në Kampionatin Evropian, në Kampionatin Botëror dhe në Lojërat Mesdhetare, ndër të tjera.

Edhe Podiumi për Norën pas operimit të komplikuar dhe mungesës së gjatë Sport Podiumi për Norën pas operimit të komplikuar dhe mungesës së gjatë

Nora vjet fitoi edhe medalje të bronztë botërore. Si pak xhudiste të tjera, i ka plot gjashtë medalje nga kampionatet evropiane, prej tyre një të artë. Në Turin Botëror të xhudos ka shumë medalje po ashtu.

Ajo është e përkushtuar për të arritur sukses edhe në Olimpiadën e ardhshme, atë që në vitin 2024 mbahet në Paris. Kthimi nga lëndimi është moment i rëndësishëm në këtë rrugëtim.