Kampioni i dyfishtë i Formula 1, Fernando Alonso, të premten u shtrua në spital pas një aksidenti rrugor gjatë çiklizmit në Zvicër, është bërë e ditur përmes një postimi në Twitter nga “Alpine F1 Team”.
"Fernando është i vetëdijshëm dhe mirë, ai po pret ekzaminime të mëtejshme mjekësore nesër në mëngjes", thuhet në postimin e “Alpine F1 Team”.
39-vjeçari, një çiklist i flakët, do t’u kthehet garave të Formulave këtë vit, dy vjet e pak pasi kishte njoftuar se po largohet nga sporti, shkruan CNN.
Ai do të jetë pjesë e skuderisë Alpine-Renault.
Testimet para-sezonale për F1 do të mbahen në Bahrein nga 12-14 mars, përpara garës së parë që është planifikuar më 28 mars.
Alonso ka 314 gara në Formula pas vetes, duke i fituar 32 prej tyre. 97 herë është gjetur në podiume, ndërkohë që ka edhe dy tituj kampioni (2005, 2006).