Ndryshe nga ajo që deklaroi Robin (Haxhi) Krasniqi menjëherë pas meçit, kampi i boksierit kosovar pretendon se nuk kishte fitues në meçin e së premtes mbrëma ndaj Stefan Haertelit.
Kosovari 32-vjeçar në Magdeburg të Gjermanisë tentoi të mbronte titullin e Evropës (EBU) në kategorinë super të mesme, por u befasua nga gjermani Haertel që fitoi me vendim unanim të gjyqtarëve pas 12 raundeve, shkruan sot Koha Ditore.
Gjyqtarët e vlerësuan meçin me rezultat 117:112, 116:112 dhe 115:113 në të mirë të Haertelit dhe kështu ia mori titullin e Evropës boksierit kosovar. Por ekipi i Haxhi Krasniqit pretendon që lufta përfundoi 114:114. Me barazim, titulli do të mbetej te Krasniqi, i cili e pranoi humbjen si të merituar.
"Meçi ndërmjet Robinit dhe Stefan Haertelit është vlerësuar si Meçi i Vitit nga EBU-ja dhe kjo na bën krenarë. Por pas një video-analize të detajuar duam të shprehim këtu që verdikti definitivisht nuk ishte i drejtë. Ne kemi numëruar secilën goditje në secilin raund dhe meçi ishte i barabartë, 114:114", shkruan në një deklaratë të ekipit të Krasniqit të publikuar në faqen zyrtare të boksierit junikas... (Artikullin e plotë mund ta lexoni në Koha Ditore)