Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Florian Kamberi pritet të largohet nga Hiberniani për t’iu bashkuar ekipit tjetër nga Skocia, Glasgow Rangers.
Mediumet skoceze kanë raportuar të enjten se marrëveshja është pranë finalizimit dhe pritet të zyrtarizohet të premten, kur edhe mbyllet afati kalimtar i janarit.
Kamberi do të huazohet te Rangersi deri në fund të këtij edicioni, pasi ekipi i trajnerit Steven Gerrard ka mbetur pa sulmuesin Jermaine Defoe, që është lënduar ditë më parë dhe pritet të mungojë për një periudhë më të gjatë, transmeton KTV.
Rangers gjithashtu do të ketë edhe opsionin e blerjes së kontratës të Kamberit në fund të këtij edicioni.
Kamberi 24-vjeçar, këtë edicion ka shënuar tetë gola për Hibernianin në të gjitha garat. Ai ka kontratë me Hibernianin deri në verën e vitit 2021, kurse karrierë ka bërë edhe te Grasshoppersi e Karlsruhe.