Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kalimi i Britanisë së Madhe, obligim për Kosovën

Në kualifikimet për “Euro 2020”, “Euro 2022” dhe “Euro 2024”, përfaqësuesja e Kosovës në hendboll u paraqit në fazën kryesore. Në fazën kryesore të kualifikimeve për “Euro 2020” kishte arritur përmes vendit të tretë në Kampionatin e IHF-së për vendet me hendboll në zhvillim. Në kampanjën e parë kualifikuese, atë për “Euro 2020”, Kosova kishte mbledhur tri pikë. Në kualifikimet për “Euro 2022” i mblodhi po ashtu tri pikë dhe madje la prapa Rumaninë. Në kualifikimet për “Euro 2024”, Kosova nuk mori asnjë pikë dhe kështu ra në fazë parakualifikuese për “Euro 2026”.

Të mërkurën, kur fillon “Euro 2024”, Kosova nis rrugëtimin në raundin promovues të kualifikimeve për “Euro 2026”. I duhet ta kalojë Britaninë e Madhe në këtë raund, për të qenë aty ku ishte në tri ciklet e kaluara kualifikuese.

Ndeshja e parë me Britaninë e Madhe është të mërkurën prej orës 20:30 në palestrën e Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Ndeshja e dytë është në Derby të Anglisë, të shtunën prej orës 14:00. Përfaqësuesja më e suksesshme pas dy ndeshjeve avancon në kualifikimet e rregullta për “Euro 2026”.

Kosova vlerësohet favorite përballë Britanisë së Madhe, që hendbollin nuk e ka sportin më të zhvilluar. Por këtë duhet ta dëshmojë përgjatë dy ndeshjeve të kësaj jave.

Përfaqësuesja e Kosovës u grumbullua javën e kaluar, ndërsa luajti dy ndeshje përgatitore me Emiratet e Bashkuara Arabe. Kosovës i mungojnë lojtarë të rëndësishëm. Egzon Gjuka, Lulzim Shabani e Shaban Zogaj janë të lënduar, ndërsa në grumbullim nuk janë as vëllezërit Drilon e Drenit Tahirukaj.

Edhe Kosova synon kualifikimet e rregullta për “Euro 2026” Sport Kosova synon kualifikimet e rregullta për “Euro 2026”

Emra të rinj janë ftuar dhe në përfaqësuese janë optimistë.

“Jemi në grumbullim prej javës së kaluar për këto dy ndeshje dhe është shumë e rëndësishme që kemi ftuar disa lojtarë të rinj për t’i integruar sa më shpejt në ekip për këto duele. Po ashtu kemi pasur dy miqësore me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe gjithçka ishte pozitive. Përgatitjet kanë shkuar mirë në përgjithësi dhe tani fokusi është te ndeshja e parë që e luajmë në Prishtinë. Besojmë se do ta kemi edhe përkrahjen e madhe të shikuesve”, ka thënë të martën për KOHËN selektori i Kosovës, Bujar Qerimi.

Ai shpreson që përfaqësuesja ta bëjë hapin e madh drejt kualifikimit që në ndeshjen e parë.

“Rëndësia dhe pesha e kësaj ndeshjeje është e madhe. Nuk mendojmë vetëm për fitore por edhe për rezultat, në mënyrë që në ndeshjen e dytë të jemi më të relaksuar. Imperativi ynë është që ta kalojmë këtë raund, përkatësisht Britaninë e Madhe”, ka theksuar Qerimi.

Britania e Madhe kaloi në raundin promovues si fituese e fazës së parë kualifikuese. Një vit më parë Britania e Madhe fitoi grupin ku ishin edhe Qiproja, Azerbajxhani dhe Malta. Kishte pesë pikë, sa edhe Qiproja.

Edhe Kosova në raundin e dytë për herë të parë Sporte të tjera Kosova në raundin e dytë për herë të parë

Në nëntor, në kualifikimet për Botërorin 2025, Britania e Madhe humbi 25:16 dhe 33:12 nga Finlanda. Ndërkohë në fazën e parë kualifikuese për Botëror u ndal edhe Kosova. Fillimisht përfaqësuesja humbi 33:23 nga Sllovakia në udhëtim dhe kështu fitorja 28:25 në Prishtinë, më 5 nëntor, nuk ishte e mjaftueshme.

Tjetër fitore, dukshëm më e thellë, synohet të mërkurën mbrëma ndaj Britanisë së Madhe. Në raundin promovues paraqiten gjashtë përfaqësuese. Belgjika luan me Qipron, kurse Letonia me Luksemburgun.