Basketbollisti Valmir Kakruki nuk do të jetë më pjesë e skuadrës së Bashkimit. Ai është larguar nga klubi prizrenas për t’u rikthyer në Maqedoninë e Veriut.
Kakruki, të martën ka firmosur kontratë me ekipin e Çairit, i cili bën pjesë në elitën e basketbollit të Maqedonisë së Veriut.
Në njoftimin e Çairit thuhet se Kakruki do të jetë pjesë e skuadrës për pjesën e mbetur të këtij edicioni.
Basketbollisti i gjatë 202 centimetra dhe që luan në pozitën e krah-qendrës, iu bashkua Bashkimit para fillimit të këtij edicioni. Mirëpo, ai nuk bindi me paraqitjet e tij dhe kështu palët e ndërprenë bashkëpunimin.
Në tetë ndeshje të luajtura në Superligën e Kosovës në basketboll, Kakruki ka pasur një mesatare prej 4 pikëve dhe 4 kërcimeve.
Ai edhe edicionin e shkuar ishte pjesë e elitës së basketbollit kosovar, ku luajti për skuadrën e Sigal Prishtinës. Skuadra e Çairit, aktualisht ka pesë fitore karshi dy humbjeve në kampionatin e Maqedonisë së Veriut.