Drejtuesit e Juventusit po përgatitin një ofertë prej 60 milionë eurosh për mesfushorin danez Christian Eriksen, i cili më herët pati paralajmëruar largimin nga skuadra e Tottenhamit.
"Gazzetta dello Sport" ka raportuar të martën se Juventusi gjatë kësaj jave do t'i bëjë Tottenhamit zyrtarisht ofertën për Eriksenin, i cili pëlqehet nga trajneri Maurizio Sarri, transmeton Koha Ditore.
Eriksen ka kontratë me Tottenhamin deri në vitin tjetër kurse te Juventusi shihet si përforcim i duhur për mesfushën.
Mesfushori 27-vjeçar, është pjesë e Tottenhamit prej vitit 2013 kur u transferua nga Ajaxi. Eriksen edicionin e shkuar ka shënuar dhjetë gola dhe ka bërë 17 asistime në 51 paraqitje për ekipin nga Londra në të gjitha garat.