Pas serisë prej pesë ndeshjeve pa fitore, përfshirë edhe turpërimin nga Monza që shënoi fitoren e parë në Serie A, Juventusi ka triumfuar në dy ndeshje rresht dhe më në fund fitoi edhe në Ligën e Kampionëve. Juventusi fitoi ndaj Maccabi Haifas të mërkurën, 3:1. Dhe, “zonja e vjetër” ndoshta është kthyer.
“Bianconerët” do të luajnë në “San Siro” të shtunën nga ora 18:00 kundër Milanit, në kuadër të xhiros së nëntë të Serie A.
Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, është kritikuar shumë së fundmi, por ai është i vetëdijshëm se ka shumë telashe.
Rikthimi i Angel Di Marias mund t’i dhurojë skuadrës më shumë vetëbesim. Di Maria shquhet me pasimet kualitative. Ai realizoi “hat-trick” asistimesh në Ligën e Kampionëve.
Sulmuesi argjentinas vetëm sa është kthyer nga lëndimi.
Me lëndime po përballet skuadra “rossonere”.
Milani nuk ka humbur nga Juventusi në katër prej pesë ndeshjeve të fundit. Ka dy fitore e dy barazime. Më parë kishte humbur në 13 ndeshje, ndërsa e kishte fituar vetëm një.
Nga nëntë ndeshjet e fundit kundër Milanit në stadiumin “San Siro”, Juventusi i ka fituar gjashtë sosh.
Megjithatë, Milani është ekipi ndaj të cilit Juventusi ka më së shumti barazime dhe fitore në Serie A. “Bardhezinjtë” kanë fituar 67 nga 174 ndeshje me “kuqezinjtë” në të gjitha garat.
Por, skuadrat kanë barazuar 56 herë në Serie A.