Juventusi synon ta mbyllë vitin 2022 në pozitën e dytë në Serie A. Për ta realizuar këtë synim, Juventusi kërkon fitore në derbi ndaj Lazios dhe shpreson në dështimin e Milanit përballë Fiorentinës.
Ndeshjet e fundjavës janë të fundit në Serie A për këtë vit dhe zhvillohen para se të nisë botërori në Katar. Derbi i xhiros së 15-të, Juventus – Lazio, zhvillohet të dielën nga ora 20:45, ndërsa ndeshja në mes të Milanit dhe Fiorentinas luhet në “San Siro” të dielën nga ora 18:00. Juventusi aktualisht është në vendin e katërt me 28 pikë, dy më pak se Lazio në vendin e dytë dhe Milani në vendin e tretë.
Juventusi ka seri prej pesë fitoresh në Serie A, ndërsa Lazio ka dy fitore. Pesë përballjet e fundit të drejtpërdrejta i ka fituar Juventusi.
Napoli është lider në Itali me 38 pikë. Napoli do të përballet me Udinesen në stadiumin “Diego Armando Maradona”. Amir Rrahmani mungon edhe në ndeshjen e fundit për këtë vit për shkak të një lëndimi. Napoli e Udinese luajnë të shtunën prej orës 15:00.