Kastriot Jupa ka kohë që dominon në shpalljen për hendbollistin më të mirë në Kosovë. Ai filloi të mbledhë trofe individualë dhe me skuadër pas transferimit te Besa e Pejës në verën e vitit 2012.
Pivoti gjakovar, fillimin nuk e kishte të lehtë. Ndeshjen e parë me Besa Famiglia, tani Besa Famgas, e kishte luajtur ndaj Borcit në Banjallukë, më 8 shtator të vitit 2012. Borci kishte fituar thellë ndaj Besës, 31:22, në ndeshjen e parë të raundit të parë të Kupës së EHF-së. Në Pejë, një javë më vonë, skuadra nga Republika Srpska e Bosnjë-Hercegovinës kishte fituar edhe më thellë, 32:22. Kështu, Borci kishte avancuar tutje e Besa kishte përjetuar eliminim të turpshëm. Jupa në ndeshjen e parë kishte realizuar dy gola, ndërsa në të kthimit tri.
Shumë gjëra kanë ndryshuar prej atëherë te Besa Famgas. Besa dominon hendbollin kosovar dhe po synon hapa tutje në garat evropiane. Hapin e madh e synon pikërisht ndaj Borcit të Banjallukës, ish-kampionit evropian.
Besa Famgas e Borci takohen të shtunën në ndeshjen e parë të raundit të tretë të Kupës Evropiane. Ndeshja luhet në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Ndeshja e kthimit është pas një jave në Banjallukë.
Besa është klub shumë më i madh sesa ishte në vitin 2012. Është dukshëm më i organizuar dhe ka përbërje dukshëm më cilësore. Prej lojtarëve që ishin atëherë në ekip, tani janë vetëm Jupa dhe Egzon Gjuka. Besa ka në përbërje edhe lojtarë cilësorë të huaj, por shumë varet nga ajo se sa shfaqin Jupa, Gjuka, Drilon Tahirukaj, Bujar Ramosaj, Mursel Mehmeti, Jon Muqolli, Arti Luzha dhe vendorët e tjerë.
Që të pësohet humbje e thellë si tetë vjet më parë, vlerësohet thuajse e pamundur. Vetë Jupa thotë se ka ardhur koha për revansh ndaj Borcit. Ky klub nuk njeh shtetin e Kosovës, njëjtë si Bosnjë-Hercegovina që këtë nuk e bën për shkak të ndikimit të serbëve.
“Në vitin 2012, debutimi im me fanellën e Besës ishte pikërisht kundër Borcit në Banjallukë. Tani, tetë vjet më vonë, kemi një grup lojtarësh që mund të rivalizojmë çdo ekip që bën pjesë në European Cup. Do të jetë një ndeshje shumë e fortë, sepse Borci ka ekip shumë cilësor, që do të na shkaktojë probleme. Por, besoj që ka ardhur koha për revansh dhe që të plasohemi në mesin e 16 skuadrave më të mira në European Cup”, ka thënë Jupa të premten për KOHËN.
Kampionia e Kosovës, në raundin e dytë të Kupës Evropiane, kishte eliminuar Bosna Visokon. Dy ndeshjet ishin luajtur në Pejë dhe Besa kishte fituar thellë. Kupa Evropiane është niveli i tretë i garave evropiane për klube. Besa asnjëherë nuk ka kaluar dy kundërshtarë në gara evropiane, ndonëse pjesë e tyre është për një dekadë e gjysmë. Këtë e synon në edicionin aktual, ndonëse shorti nuk e ka favorizuar shumë. Por, nuk e ka favorizuar as Borcin. Te kjo skuadër kanë thënë se gjasat janë 50-50. Njëjtë vlerësojnë edhe te Besa. Shumë do të varet nga ndeshja e parë, që luhet të shtunën në Pejë.