Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Joshua po bëhet gati për “luftë” kundër Furyt

Boksieri Anthony Joshua duket se i ka dërguar një mesazh armiqësor Tyson Furyn, duke këmbëngulur se ai nuk do të jetë i “civilizuar” ndërsa po përgatitet për “luftë” në meçin e tyre për titullin e botës në kategorinë e rëndë.

Joshua pritet të përballet me Furyn në një luftë unifikuese për titull të botës këtë vit. Rivalët britanikë aktualisht po finalizojnë kushtet e marrëveshjes për një betejë që do të përcaktojë më të mirin e kategorisë kryesore të boksit.

Fury e ndaloi pa mëshirë amerikanin Deontay Wilder në shkurtin e kaluar për ta rrëmbyer brezin e versionit WBC, ndërsa Joshua ia dha një nokaut Kubrat Pulevit në dhjetor, dhe kampioni i versioneve WBA, IBF dhe WBO po përgatitet për një përballje brutale me bashkëkombësin e tij.

“Disa njerëz mund të mos e kuptojnë këtë, por unë e kuptoj se në këtë jetë 99 për qind të popullsisë janë njerëz të civilizuar”, tha Joshua në kanalin e tij zyrtar në YouTube. “Profesioni që kam zgjedhur është për të pacivilizuarit. Ky është një sport lufte. Ne nuk jemi njerëz të civilizuar, ne jemi luftëtarë dhe unë e dua këtë”.

Joshua mori hakun për humbjen e vetme në karrierën e tij si profesionist, duke mposhtur Andy Ruizin me pikë në revansh. Ai nuk shqetësohet nga një kundërshtar si Fury, i cili ende mban një bilanc të qind për qindtë.

“Pavarësisht taktikave, studimit dhe idesë së Furyt se mund të më mposhtë, unë do të futem vetëm për ta fituar këtë meç. Ky është mentaliteti i një luftëtari dhe unë po përgatitem maksimalisht për këtë”, insistoi Joshua.

Joshua ka zbuluar se dëshiron që meçi kundër Furyt të mbahet në verë dhe po shpreson që kjo të realizohet.

Edhe Deklarata e Joshuas: Do t’ia shqyej zemrën... Luftarake 2 o. më parë Deklarata e Joshuas: Do t’ia shqyej zemrën...

“Mendoj se do të jetë në fillim apo fund të qershorit, më së largu”, shtoi ai. “Duhet pak kohë për shkak se koronavirusi është i paparashikueshëm dhe po përhapet gjithnjë e më shumë. Nuk kemi njohuri se çfarë po ndodh, por nëse na jepet pak më shumë kohë, atëherë do të mund të përgatitemi si është më së miri dhe sipas planit”.

Promotori i Joshuas, Eddie Hearn, tashmë e ka mbyllur një marrëveshje me promotorin amerikan të boksierit Fury, Bob Arum, dhe një numër vendesh janë marrë në konsideratë për ta organizuar këtë ngjarje të madhe të boksit.

“Po flasim me Arabinë Saudite, po flasim me Katarin, po flasim me Dubain, po flasim me Singaporin, po flasim me Kinën, po flasim me Amerikën dhe me shumë vende të tjera”, ishin fjalët e promotorit Hearn. \ Sky Sports